Përpjekjet e Erdoganit të pasuksesshme, Putin: Nuk ka marrëveshje të re për eksportin e grurit ukrainas

Përpjekja e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të bindur homologun e tij rus, Vladimir Putin, të riangazhojë Rusinë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara për të garantuar eksportin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi, ka të ngjarë të jetë e pasuksesshme, transmeton Portalb.mk.

Siç raporton agjencia e lajmeve “Associated Press” nga qyteti rus i Soçit, Putin tha se një marrëveshje e re nuk do të arrihet derisa Perëndimi të përmbushë kërkesat e tij.

Marrëveshja paraprake, e iniciuar nga Erdogani dhe e lidhur në kuadër të Kombeve të Bashkuara, u nënshkrua verën e kaluar dhe Rusia në korrik të këtij viti për herë të parë refuzoi ta zgjasë atë, duke thënë se një marrëveshje paralele për heqjen e pengesave ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave artificiale nuk u respektuan.

Në të njëjtën kohë, sot në Soçi, presidenti rus Putin njoftoi se Rusia është afër përfundimit të një marrëveshjeje për drithë falas për gjashtë vende afrikane.