Moti i keq me reshje të dendura shiu ka vazhduar edhe gjatë orëve të fundit në Shqipëri. Si pasojë, disa zona të vendit janë përfshirë nga përmbytjet, transmeton Portalb.mk.
Sipas autoriteteve, përveç shiut, në disa zona ka pasur edhe reshje bore.
Situata më problematike është raportuar në qarqet Durrës, Lezhë, Gjirokastër dhe Shkodër.
Në këto zona janë përmbytur banesa, biznese dhe toka bujqësore.
Reshjet e dendura kanë prekur edhe Qarkun e Tiranës. Ato kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore.
Dhjetëra familje janë evakuuar nga zona të ndryshme të vendit.
Autoritetet vazhdojnë punën në terren për të ndihmuar familjet e prekura.
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se puna për largimin e ujit dhe garantimin e sigurisë së banorëve po vazhdon në disa zona.
Sipas ministrisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forca Tokësore janë angazhuar me personel dhe mjete për të menaxhuar situatën.
Instituti i Gjeoshkencave njoftoi se reshjet intensive do të vazhdojnë edhe sot dhe nesër në të gjithë vendin.
Ndryshe, reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në Kosovë.