Përmbajtja drejt Perëndimit, komentet drejt Lindjes: Çfarë po postohet në Facebook për NATO-n dhe BE-në

Edhe pse postimet më me famë në Facebook lidhur me integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO kanë një konotacion pozitiv, komentet në të shumtën e rasteve janë plotësisht negative dhe pro-ruse. Në to pretendohet se maqedonasit po e humbasin identitetin e tyre, tregon hulumtimi i Metamorfozis “Gabimi 403: Identiteti i ndaluar”, raporton Meta.

Çështjet rreth integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe NATO janë ndër temat më dominante politike në postimet në rrjetet sociale. Në postimet e tyre në Facebook, politikanët në pushtet vazhdimisht përsërisin se BE-ja dhe NATO-ja janë qëllimet strategjike me rëndësi më të madhe të shtetit, ndërsa nga ana tjetër duket se qytetarët janë gjithnjë e më skeptikë ndaj fjalëve të tyre. Partitë opozitare, nga ana tjetër, i evitojnë plotësisht temat të cilat nuk u konvenojnë. Në të njëjtën kohë, ata e shfrytëzojnë zhgënjimin e popullit për qëllimet e tyre dhe në të njëjtën kohë rrisin skepticizmin ndaj të dy institucioneve.

Një nga fushat kryesore të betejës për diskursin rreth të ardhmes së shtetit në BE dhe NATO është padyshim në rrjetet sociale. Përmes tyre mund të komunikojnë drejtpërdrejt me një numër të madh njerëzish jo vetëm politikanët dhe propagandistët e tjerë, por përmbajtje dhe mendime mund të ndajnë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin edhe qytetarët.

Hulumtimi i fundit nga Fondacioni Metamorfozis si pjesë e projektit Bikon të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), i titulluar “Gabimi 403: Identiteti i ndaluar” tregon se shumica e postimeve në Facebook për NATO-n dhe BE-në kanë një konotacion pozitiv.

Në shumicën e postimeve në Facebook mbështetet integrimi Euro-atlantik i Maqedonisë së Veriut

Numri i postimeve në Facebook në gjysmën e parë të vitit 2023 lidhur me integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, sipas sentimentit

Grafiku: Fondacioni Metamorfozis – Burimi: Crowtangle – Krijuar me Datawrapper

Por, pasqyra e plotë fitohet nëse "zbritet" pak më poshtë dhe shihen komentet në këto postime - pothuajse të gjitha komentet për postimet më me famë lidhur me BE-në dhe NATO-n kanë qenë negative në raport me anëtarësimin në BE dhe NATO.

Shumica e komenteve sugjerojnë se me anëtarësimin në BE do të humbet identiteti, historia dhe gjuha maqedonase. Shpesh vihen re edhe qëndrime pro-ruse, ndërsa narrativi i përgjithshëm, frika nga humbja e identitetit dhe gjuhës, përkon me gjuhën e propagandës pro-ruse, gjë që flet për ndikimin e saj tek një pjesë e popullatës.

Llojet e profileve të përdoruesve që shkruajnë komente negative ndryshojnë, por, sipas Metamorfozis, shumica e komenteve janë nga profile anonime ose të sapokrijuara me pak detaje për jetën e tyre personale. Kjo tregon se ka një probabilitet të lartë që komentet nga profile të tilla të jenë pjesë e një aksioni të organizuar. Kjo nuk është diçka e re nëse kemi parasysh që ish-zyrtarët e VMRO-DPMNE-së zbuluan publikisht se në vitin 2018 se partia kishte një "fermë” të tillë të trolleve.

Nëse përsëri shkojmë më lartë, mund të shihet se shumica e postimeve më të njohura lidhur me BE-në dhe NATO-n publikohen nga profile të institucioneve publike apo nga politikanë të shquar të LSDM-së.

Raporti i Metamorfozis tregon se politikanët dhe institucionet në pushtet nuk shpjegojnë mjaftueshëm qartë se çfarë në të vërtetë paraqet anëtarësimi në BE. Domethënë, rrallëherë shpjegohet sesi anëtarësimi në BE do të kishte ndikim pozitiv në jetën e qytetarit mesatar, apo çfarë pasojash do të kishin ndryshimet kushtetuese që Bullgaria i kërkon si parakusht për vazhdimin e negociatave për anëtarës në BE.

Shumica e postimeve të funksionerëve të LSDM-së promovojnë takime, ngjarje apo nënshkrime të kontratave. Ajo që është më e rëndësishmja, ata rrallëherë shpjegojnë në mënyrë thelbësore se si planifikojnë të përballen me problemet më të gjera politike, si korrupsioni dhe shoqëria e ndarë, e cila ngjall mosbesim tek qytetarët.

Por narrativi kundër NATO-s dhe BE-së i pranishëm në komentet nuk u shfaq befas - ai mbështetet nga aktorë të ndryshëm.

VMRO-DPMNE-ja në publikimet e saj shpesh krijon një imazh se vlerat e BE-së në fakt nuk janë demokratike dhe të drejta për shtetet e mundshme anëtare, duke i pasur parasysh të gjitha pengesat me të cilat u përball Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së. Përveç kësaj, ata përhapin narrativin se LSDM-ja, si dhe të gjithë maqedonasit, janë peng të shqiptarëve dhe partive shqiptare. Kjo parti dhe liderët e saj pothuajse plotësisht e evitojnë të shkruarit në Facebook për anëtarësimin e vendit në NATO.

Edhe E majta i ndan qëndrimet me VMRO-DPMNE-në sa  i përket Bashkimit Evropian, por për dallim nga ato, në publikimet e tyre ata shprehen hapur kundër NATO-s. Lideri i së Majtës, Dimitar Apasiev, rregullisht e quan NATO-n organizatë terroriste dhe e akuzon qeverinë se po krijon një mjedis në të cilin duket se nuk ka alternativë tjetër përveç aleancës me NATO-n dhe BE-në.

E majta gjithashtu e përhap narrativin rus i cili ka për qëllim të mbjellë frikë për humbjen e identitetit të shteteve më të vogla nën ndikimin e perëndimit. Si dëshmi për këtë, ata i referohen faktit se në vitin 2023 Kuvendi i Moldavisë e shpalli rumanishten, dhe jo moldavishten, si gjuhë zyrtare të shtetit. E majta pretendon se deri në vitin 2030 në vendin tonë do të ndodhë e njëjta gjë, pra që bullgarishtja do të votohet si gjuhë zyrtare.

Së bashku me Moldavinë, E majta e përdor edhe Ukrainën si shembull për shtetet që e kanë arritur më para në negociatat për anëtarësim në BE, edhe pse pretendohet se plotësojnë më pak kushte për anëtarësim për sa i përket të drejtave të pakicave dhe niveleve të korrupsionit.

Një “sektor” tjetër i rëndësishëm në rrjetet sociale kur bëhet fjalë për postimet që kanë të bëjnë me NATO-n dhe BE-në janë faqet nacionaliste në Facebook me emra si “Në rrugën e historisë maqedonase” dhe “Sekula Vojvoda Fan Club”.

Edhe pse këto faqe në Facebook duket se kanë më pak ndjekës në krahasim me faqet zyrtare të partive politike, sipas raportit të Metamorfozis, ato kanë një ndikim të fuqishëm sepse ndjekësit e tyre janë organikë. Domethënë, ndjekësit e tyre shpesh komentojnë në postimet e tyre dhe i ndajnë përmbajtjen e tyre, gjë që dallon nga profilet e politikanëve, ku ndjekësit “mblidhen” përmes përmbajtjeve të sponsorizuara dhe nuk ndërveprojnë aq shumë me faqet e tyre.

Faqja në Facebook e Kryeministrit kryeson sipas numrit të interaksioneve

Numri i interaksioneve (komente, pëlqime, ndarje) të postimeve në Facebook në gjysmën  e parë të vitit 2023 lidhur me integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, sipas faqeve

Grafiku: Fondacioni Metamorfozis – Burimi: Crowtangle – Krijuar me Datawrapper

Në faqet nacionaliste në Facebook mund të gjenden postime me mbështetje provokuese dhe të hapur për Rusinë dhe Kinën dhe kundërshtim ndaj NATO-s, duke përhapur narrativa të tillë si se NATO po udhëheq luftën në Ukrainë dhe i detyron vendet anëtare si Maqedonia e Veriut të paguajnë për municionin.

Faqet e këtilla i referohen të ashtuquajturës Vëllazëria ortodokse dhe aleanca me Rusinë, shpesh duke cituar ambasadorin e ambasadës ruse në Maqedoninë e Veriut, Sergej Bazdnikin.

Postimet në internet të ambasadës, nga ana tjetër, e paraqesin Rusinë si aleat të Maqedonisë, ndërsa veten si viktimë, duke përhapur argumente klasike pro-ruse për atë se si NATO-ja e mban peng Ukrainën.

Nëpër të gjitha këto narrative të ndërthurura të pranishme në publik, raporti i Metamorfozis vë në dukje se media nuk i mbulon në mënyrë adekuate të njëjtat tema. Në media vihet re një mungesë e analizave dhe kollumnave për çështjet e integrimit në BE dhe NATO. Gjegjësisht, mediat shpeshherë i marrin drejtpërdrejt përmbajtjen e politikanëve, të cilat, siç u tha më herët, rrallëherë përmbajnë një shpjegim substancial të përfitimeve të anëtarësimit në BE dhe NATO.

Prandaj, autorët e hulumtimit rekomandojnë që mediat ta evitojnë kopjimin e drejtpërdrejtë të deklaratave të politikanëve kur raportojnë për BE-në dhe NATO-n dhe t’i trajtojnë më thellësisht të njëjtat tema, si dhe rekomandojnë që politikanët të përdorin shembuj më specifik në postimet e tyre dhe ta evitojnë gjuhën tepër formale.

Krahas kësaj, rekomandohet që autoritetet në komunikimin e tyre me publikun të zbulojnë disa narrativa dezinformative në lidhje me integrimin e BE-së dhe NATO-s, duke përdorur në mënyrë të ndërgjegjshme platformën e tyre të madhe në rrjetet sociale.

Këto janë vetëm disa nga gjërat që mund të bëhen për të arritur një hapësirë ​​online më të shëndetshme dhe më të informuar. Raportin e plotë e gjeni në këtë link.

Siç theksojnë nga Metamorfozis mjeti kryesor që e përdorur për të marrë t’i dhënat për këtë raport është Crowdtangle. Fillimisht janë definuar fjalët kyçe që janë përdorur për të kërkuar përmes Facebook-ut, nga të cilat një grup fjalësh kyçe për opinionet për BE-në dhe një tjetër për opinionet për NATO-n.

Mjeti Crowdtangle u përdor për të kërkuar postimet në Facebook në gjysmën e parë të 2023 që i përmbanin këto fjalë kyçe.