Përfaqësuesi i Shqipërisë Daku kërkoi falje: Ndjesë nëse ofendova dikë pas ndeshjes me Kroacinë

Përfaqësuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku u ka kërkuar falje mbrëmë në rrjetin social Facebook, siç ka shkruar, atyre që ka ofenduar pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Futbollit në Gjermani – EURO 2024, duke theksuar se në momentet kur futbollistët janë në fushë, emocionet e tyre janë në një nivel tjetër, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, afekti në lojë bëri të vetën, por siç tha ai do të vazhdojë të punojë së bashku me lojtarët e tjerë për të realizuar ëndrrat e kombëtares shqiptare.

Pas ndeshjes në të cilën kombëtarja shqiptare me një gol në kohën shtesë arriti të nxjerrë një pikë duke luajtur me barazim ndaj kroatëve (2:2), Daku mori një megafon nga tifozët dhe së bashku me të pranishmit shau maqedonasit dhe serbët.

“Së pari, dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në momentet e mira dhe të këqija të Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, diçka që mund të kuptohet vetëm nëse je brenda fushës”, ka shkruar Daku.

Sipas tij, është e vështirë të përshkruhet ndjenja e të luajturit për këtë kombëtare dhe për tifozët e mrekullueshëm, për të cilët ka treguar se u japin dashuri të pakufishme.

“Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar”, shkroi Daku.

Kërkim falja e futbollistit Daku vjen pasi mbrëmë Komiteti Disiplinor i UEFA-s njoftoi se është hapur hetim, siç thuhet në njoftim, në lidhje me akuzat për sjellje të pahijshme të përfaqësueses shqiptare.

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi dje se do të informojë edhe UEFA-n dhe shprehu shqetësimin dhe dënimin për thirrjet dhe fyerjet nacionaliste të kombëtares shqiptare, të drejtuara kundër maqedonasve pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionati Evropian të Futbollit në Gjermani – EURO 2024.

Për shkak të fyerjeve dhe thirrjeve nacionaliste drejtuar Serbisë, Federata e Futbollit të këtij vendi (FFS) i kërkoi UEFA-s dënimin e kombëtareve të Kroacisë dhe Shqipërisë dhe njoftoi se nëse nuk merren masa, FFS-ja do të tërheqë kombëtaren serbe nga pjesëmarrjen e mëtejshme në EURO 2024.