Për titanin e pavdekshëm të shqiptarisë
Të rrallë janë burrështetasit si Fan Noli. Edhe më të rrallë janë dijetarët eruditë e poliglotë dhe krijuesit si puna e tij. Ai qe i veçantë si poet, dramaturg, kritik, studiues, eseist, publicist, përkthyes, historian, orator, muzikant dhe politikan.
Fan Noli bëri shumë për Shqipërinë në një kohë kur shpirtrobërit e nxitën të shkruajë vargjet e dhimbshme që na shkojnë knap edhe sot e gjithë ditën:
Skllevër, bij-skllevësh, s’e meritoni
Se liri s’doni!
Fan Noli bën pjesë në mesin e atdhedashësve që flijoi edhe krijimin e familjes për t’iu përkushtuar me tërë qenien emancipimit kulturor e politik të bashkëkombësve të prirur për ngatërresa, grindje dhe përçarje të paarsyeshme, që shfrytëzoheshin nga nëpërkat serbo-greke për të bindur botën se shqiptarët janë të paaftë të vetëqeverisin vendin e tyre pa një skllavopronar të huaj mbi krye.
Për të ndërprerë rrjedhën e të metave që rrezikonin seriozisht ekzistencën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Nolit iu desh të bëjë disa vepra të pavdekshme, ndër të cilap po përmendim:
- Themelimin e Federatës Panshqiptare VATRA në SHBA, e cila i bashkoi shoqatat e mërgimtarëve dhe i shndërroi ato në një organizatë zëdhënëse të çështjes shqiptare në botë, në mbrojtëse që mori në dorë fatin e kombit. Ky qe hapi i parë serioz për formimin e lobit të fuqishëm Shqiptaro-Amerikan dhe që shpëtoi Shqipërinë prej zhbërjes së përgjithmonshme nga faqja e dheut.
- Takimin me presidentin amerikan Thomas Woodrow Wilson, në korrik të vitit 1818, që është kontakti i parë i një përfaqësuesi të shqiptarëve me një president të SHBA-së, nga i cili mori premtimin se në konferencat e rëndësishme ndërkombëtare, si ajo e Parisit do të mbrojë Shqipërinë nga hegjemonizmi rus, që tokat shqiptare synonte t’ua dhorojë Serbisë dhe Greqisë. Takimi në fjalë është gurëthemeli i miqësisë shqiptaro-amerikane, që vazhdon të jetojë edhe në ditët tona.
- Shkëputjen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga kthetrat e kishës greke, e cila e shfytëzonte fenë si mjet lufte për asimilimin e shqiptarëve dhe gllabërimin e trojeve të tyre etnike. Falë erudicionit dhe oratorisë së pashoqe të Nolit, ai e shfrytëzoi arogancën e kishës greke që nuk pranoi të kryejë ritualet fetare gjatë aktit të varrosjes së një djaloshi patriot shqiptar dhe bindi besimtarët ortodoksë shqiptaro-amerikanë se vetëm shpallja e autoqefalitetit të Kishës Ortodokse Shqiptare mund ta shpëtojë Shqipërinë nga shkrirja në magmën greke. Për nevojat e Kishës shqiptare Noli mori mbi vete edhe përkthimin në gjuhën shqipe të një sërë librash fetarë, sepse vetëm kësisoj mund të shmangte tendencat e rrezikshme për aneksimin e jugut të Shqipërisë nëpërmjet propagandave idiote dhe predikimit të fesë në gjuhën greke. Mjerisht, pas rrënimit të sistemit monist në Shqipëri, parësia shqiptare përdhosi autoqefalitetin e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe ia fali postin e kryepriftit grekut Janullatos, që rinisi aty ku e ndërpreu Noli, betejën e pistë greke për shkombëtarizimin e besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
- Betejën për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga sistemet despotike, si ai i Ahmet Zogut, të cilën e fitoi në Revolicionin e Qershorit të vitit 1924, kur pas vrasjes së Avni Rustemit e detyroi Zogun të strehohet në Serbi, në shtetin më antishqiptar të Ballkanit. Mjerisht, qeveria që formoi ai, qe jetëshkurtër dhe nuk ia doli të realizojë synimet që pati. Kjo, sepse asokohe Shqipëria kishte probleme edhe me fuqitë e mëdha edhe me shpirtrobërit shqipfolës, që nuk e kishin të qartë se për gjendjen e keqe të një shteti:
S’e ka fajin kurrizi, po truri,
Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri…
Këtë mësim të vlefshëm mbi despotët dhe sistemet satrape akoma nuk e kanë mësuar si duhet shqiptarët, ndaj, siç do të thoshte Sabri Hamiti, kanë mbetur penjgje të përsëritjes që përsëritet përsëri.
- Përpjekjen për t’ia bërë me dije botës jetën mizerje të shqiptarëve të Kosovës, të mbetur me aminin e fuqive të mëdha evropiane nën thundrat e kuçedrës serbe. Betejën për ndërprerjen e dhunës shtazarake ndaj bashkatdhetarëve Noli e fuqizoi veçmas gjatë periudhës 6 mujore sa qe kryeministër i Shqipërisë së katandisur si mos më keq nga politikat qorre të pararendësve dhe nga qeveritë shqiptare që ndrërroheshin pothuajse javë për jave.
- Vendosmërinë për t’i dalur zot çdo pëllëmbe të Shqiptarisë, pavarësisht joshjeve dhe shantazheve të armiqve shekullorë që prisnin më kot nga Noli që ta tradhëtojë Atdheun, siç e tradhëtuan dhe e tradhëtojnë sot e gjithë ditën politikanët dallaveraxhinjë dhe xhabazë sinoresh etnike…
Noli erudit e poliglot ka merita të madhe edhe për përparimet në kulturë. Ai u tregoi shqiptarëve me vepra konkrete se si zhvillohet kultura dhe arti i një vendi dhe një etnie. Shembullin më të mirë për këtë ai i dha me poezitë unikate, me dramën Izraelitë e Filistinë, me monografinë brilante mbi Betovenin që bafasoi edhe krijues të medhenj botëror si George Bernard Show dhe Tomac Man, me veprën historike mbi Skënderbeun, me esetë e rralla, me shkrimet publicistike, me gazetat që themeloi e drejtoi me shumë sukses dhe, natyrisht, me përkthimet e disa prej kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, të cilat u shërbyen krijuesve shqiptarë si shembull se si shkruhet dhe çfarë vlerash duhet të ketë një vepër e mirëfilltë artistike.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.