“Për një jetë pa dhunë”, ngjarje humanitare për të ringjallur Qendrën për mbështetjen e viktimave të dhunës në familje në Tetovë

Ndonëse “Qendra për Mbështetjen e Grave” në Tetovë ishte një nga dyert ku gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje gjenin shpresë, kjo derë në muajin mars u mbyll për shkak të mungesës së mbështetjes financiare, transmeton Portalb.mk.

Për këtë arsye,  nesër (e martë 10 tetor 2023) nga ora 12:00 deri në 15:00 në hotelin Merkur – Tetovë do të mbahet ngjarja humanitare “Për një jetë pa dhunë”, për tu siguruar ndihmë e vazhdueshme dhe e sigurt për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës në familje.

Qëllimi i kësaj ngjarje është grumbullimi i mjeteve financiare për të siguruar qëndrueshmëri dhe funksionim të vazhdueshëm të këshillimores për ndihmë dhe përkrahje të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës gjinore dhe në familje, Qendra për Mbështetjen e Grave Tetovë.

“Ngjarja do të prezantojë situatën me dhunën ndaj grave dhe fëmijëve në rajonin e Pollogut, punën dhe rëndësinë e ekzistencës së Qendrës për Mbështetjen e Gruas në Tetovë, si dhe mënyrat se si secili prej nesh mund të përfshihet dhe të ndihmojë në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, informojnë organizatorët.

Në ngjarje pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Rrjeti Nacional kundër dhunës dhe dhunës në familje, përfaqësues nga shoqata Cortex, përfaqësues nga sektori i biznesit në rajonin e Pollogut, kryetarë të komunave, kryetarët e këshillave të komunave nga: Tetova, Tearca, Bogovina dhe Zhelina, këshilltarë dhe koordinatorë të KEM, si dhe personalitete tjera të komuniteteve .

“Qendra për Mbështetjen e Grave” në Tetovë është hapur në vitin 2021 me mbështetjen financiare të Fondit të Demokracisë Ballkanike, por në muajt e fundit e njëjta nuk ka ofruar shërbime për shkak mungesë fondesh. Deri në mars të këtij viti në këtë qendër kanë gjetur ndihmë 60 gra viktima të dhunës dhe 20 fëmijë.

Për të funksionuar qendrës i duhen përafërsisht 1.686.000 denarë në vit, andaj drejtuesit synojnë sensibilizimin e rajonit për të grumbulluar shumën e nevojshme.

Sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 48 vepra penale në lidhje me “Dhunën në familje ndaj grave”.

Ndryshe, rajoni i Pollogut deri dhjetorin e kaluar ishte i vetmi rajon nga tetë rajonet planore të Maqedonisë së Veriut ku nuk kishte strehimore për gratë viktima të dhunës në familje. Në dhjetor të vitit 2022 strehimorja u hap në Gostivar dhe funksionon si njësi organizative e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Gostivar.