Pendarovski priti përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor

Presidenti Stevo Pendarovski priti sot Lordin Stuart Peach, përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, i cili po qëndron në vendin tonë me rastin e pjesëmarrjes në Forumin e Prespës për Dialog 2023, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç njoftojnë nga Presidenca u diskutua për zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe ndërmjet dy vendeve në 30 vitet e fundit dhe mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit në tema me interes të përbashkët.

Pendarovski theksoi rëndësinë që vendi ynë i kushton përkrahjes britanike të deritanishme në disa fusha si dhe shprehu pritshmërinë që e njëjta të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në rajon, veçanërisht në kuadër të agresionit rus kundër Ukrainës, si dhe për reagimin e dy vendeve në kuadër të Aleancës së NATO-s në lidhje me këtë çështje.