Pendarovski në OKB: Si mund të flasim për demokraci kur miliona njerëz nuk kanë mundësi për ujë, ushqim dhe arsimim

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në Asamblenë e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, theksoi që ky është një takim ku liderët i shfaqin vizionet e tyre për të ardhmen, duke theksuar që këtë vit fokusi është te frika nga varfëria, uria, pandemia, luftërat dhe problemet ekologjike, transmeton Portalb.mk.

“Agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës ka vazhduar me egërsi të pandërprerë, duke shkelur në mënyrë flagrante Konventën e Kombeve të Bashkuara dhe principet e të drejtës ndërkombëtare, në vazhdimësi”, deklaroi Pendarovski, duke vlerësuar që kjo është kriza më e madhe e sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai vlerësoi që pasojat e kësaj lufte po ndjehen në të gjithë kontinentet.

“Jemi për tërheqjen e pakushtëzuar të trupave okupatore ruse dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në kuadër të kufijve të saj të njohur ndërkombtarisht”, deklaroi Pendarovski.

Udhëheqësi shtetëror theksoi që edhe rreziku nga katastrofa nukleare, është një tjetër rrezik për sigurinë botërore.

“Pavarësisht dallimeve që janë ndërmjet nesh, ne duhet të veprojmë së bashku në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të gjeneratave të tashme dhe të ardhme”, deklaroi Pendarovski.

Ai kërkoi që energjia dhe ushqimi mos të “përdoren” në luftën ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

“E pakuptueshme është në dekadën e tretë të shekullit XXI, miliona njerëz mos të kenë qasje në nevojat elementare njerëzore. Si do të jetë autoriteti jonë si lider politik kur flasim për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe prosperitetin, derisa në të njëjtën kohë, miliona njerëz nuk kanë qasje në ujin e pijshëm, ushqim ose arsimim?”, deklaroi Pendarovski.