Pasuria e sekuestruar dhe e konfiskuar e Radoiçiqit: 3.5 milionë euro, vetëm vila në Ujman 2 milionë euro

Vila e ndërtuar ilegalisht në pronë të shtetit është pasuria më e vlefshme e Radoiçiqit, sipas vlerësimit të Agjencisë. Ajo përbën më shumë se gjysmën e vlerës totale të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara në lidhje me rastin e Banjskës. Pasuria e të kërkuarit nga organet e drejtësisë në Kosovë është vlerësuar 3 milionë e 430 mijë e 748.50 euro, raporton Koha.net.

Gati dy milionë euro është vlerësuar vila e Milan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit në Banjskë, e ndërtuar buzë liqenit të Ujmanit.

Vlerësimi është bërë nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, nën menaxhimin e së cilës përveç vilës janë edhe pasuritë e tjera të Radoiçiqit në Kosovë.

Vila e ndërtuar ilegalisht në pronë të shtetit është pasuria më e vlefshme e Radoiçiqit, sipas vlerësimit të Agjencisë.

Ajo përbën më shumë se gjysmën e vlerës totale të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara në lidhje me rastin e Banjskës.

Pasuria e të kërkuarit nga organet e drejtësisë në Kosovë është vlerësuar 3 milionë e 430 mijë e 748.50 euro.

Prej tyre 3 milionë e 103 mijë e 178.5 euro pasuri të paluajtshme, ku përveç vilës bën pjesë edhe banesa penthouse në vlerë 644 mijë e 400 euro, restoranti në vlerë 400 mijë eurosh, zyra në vlerë prej 82 mijë e 65 eurosh si dhe një banesë në vlerë 69 mijë e 220 euro.

Krahas tyre në duar të shtetit janë edhe 31 automjete të konfiskuara e 8 të tjera të sekuestruara në vlerë prej 327 mijë e 570 eurosh.

Të gjitha pronat e Radoiçiqit monitorohen e sigurohen përmes kamerave të sigurisë e nga Policia e Kosovës.

Sipas Agjencisë, kostoja mujore e administrimit dhe sigurimit të pronave është 420 euro.

“Fillimisht janë bërë përgatitjet dhe janë siguruar të dhënat e nevojshme (matjet e sipërfaqeve të objekteve etj.), ndërsa për gjetjet e tjera mund të informoheni nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria. Gjyqtari është njoftuar në vazhdimësi lidhur me të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) lidhur me pasuritë në fjalë. Monitorimi dhe sigurimi bëhet përmes kamerave të sigurisë nga kompania e kontraktuar si dhe Policia e Kosovës. Varësisht nga nevoja për mirëmbajtje do të ndërmarrim veprimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me veprimet e ndërmarra për pasuritë që lidhen me sulmin në Banjskë. “Ne përputhje me procedurat ligjore, AAPSK-ja ka ndërmarrë veprimet e duhura duke filluar nga evidentimi dhe fotografimi i gjendjes dhe gjësendeve në objekte. Janë zëvendësuar cilindrat në dyert hyrëse si dhe janë vendosur pajisjet për monitorim elektronik (kamerat dhe alarmet)”, thuhet më tej në përgjigje.

Përveç veprimeve që janë ndërmarrë në lidhje me pronat, 10 muaj pasi institucionet e hetuesisë informacione nuk kanë dhënë mbi hetimin e sulmit të Banjskës.

Njohës të çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se publiku e ndërkombëtarët është dashur të informoheshin për zhvillimet pa dëmtuar hetimin.

“Prokuroria Speciale në këtë rast ka mundur ta bënte një raport i cili do të mund të ndahej me institucionet ndërkombëtare deri në masën që ky raport prapëseprapë nuk i cenon integritetin e hetimeve, në mënyrë që të informohen partnerët ndërkombëtarë me atë çka ka ndodhur në Banjskë, por nuk mund të sakrifikojmë në proces kualitetin e hetimeve”, ka thënë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Mirëpo, ai shton se kualiteti i hetimeve nuk duhet të sakrifikohet me shpejtësinë e ngritjes së aktakuzës. Sipas Miftarajt, hetimi për rastin e Banjskës merr kohë për t`u zhvilluar shkaku i ekspertizës së provave që duhet të realizohen jashtë Kosove.

“Nëse Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me të vërtetë kanë interes që rastet e tilla të trajtohen me prioritet, brenda afatit të arsyeshëm kohor, do të duhej që t`i ofronin kushtet minimale për prokurorinë, për policinë. Do të duhej që institutet e forenzikës, institutet e ndryshme që bëjnë ekzaminimin e provave të jenë funksionale në Kosovë dhe Kosova të mos ketë nevojë për gjëra të thjeshta të kërkoj ndihmë nga Maqedonia”, ka thënë ai.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë të Zveçanit, i kryer më 24 shtator 2023, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Megjithëkëtë, ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi derisa institucionet e Kosovës kanë ngritur alarmin për stërvitje të sërishme të grupit të tij, duke mos përjashtuar mundësinë e një sulmi tjetër.