ANALIZË: Pas 5 vitesh shtrëngim, bankierët për herë të parë në qershor paralajmëruan kushte më të lehta kreditimi (Infografik)

Rritje e kërkesës për kredi nga kompanitë, por lehtësim i paktë i kushteve të kreditimit. Rritje të numrit të kërkesave për kredi do të ketë edhe nga amvisëritë, por për ta bankierët paralajmërojnë një lehtësim më të ndjeshëm të kushteve të kreditimit. Pas gati dy vitesh “tendencë negative”, në qershor, bankierët vlerësuan se kushtet e kreditimit janë lehtësuar dhe kërkesa për kredi është rritur, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Bankierët paralajmërojnë kushte më të lehta kreditimi – kompanitë dhe qytetarët do të kërkojnë më shumë kredi

“Në tremujorin e dytë të vitit 2024, Anketa vë në dukje një lehtësim neto të kushteve të përgjithshme për miratimin e kredive të korporatave, kundrejt shtrëngimit neto në tremujorin paraprak. Ky është vlerësimi i parë për lehtësimin neto të kushteve të kreditimit në këtë segment të tregut që nga tremujori i dytë i vitit 2020”, thuhet në Anketën e re për aktivitetin kreditor të realizuar nga BPM-ja.

Me këtë ndërpritet tendenca e shtrëngimit të kushteve të kreditimit, por megjithatë 78% e bankierëve paralajmërojnë kushte të pandryshuara të kreditimit. Anketa për aktivitetin kreditor e BPM-së tregon se në tremujorin e tretë, aktual që pason pas tremujorit të dytë zgjedhor, bankat presin rritje të kërkesës për kredi, për herë të parë, pas tre tremujorëve bankarë në të cilët ka pasur kërkesë të reduktuar.

“Në tremujorin e tretë pritet një lehtësim neto i lehtë i kushteve të kreditimit, me rritje neto të kërkesës për kredi nga korporatat”, thuhet në Anketën e re.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në gjysmën e parë të vitit bankar 2024, kompanitë u kishin borxh bankave 3.6 miliardë euro në bazë të kredive, me një rritje vjetore prej 6,4%.

Për herë të parë pas gati dy vitesh, ka paralajmërim për lehtësimin e kushteve të kreditimit si për amvisëritë ashtu edhe për rritjen e kërkesës për kredi.

“Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, për herë të parë pas shtatë tremujorësh, bankat vënë në dukje se ka një lehtësim neto të kushteve totale të kreditimit për amvisëritë, kundrejt shtrëngimit të parëndësishëm neto në tremujorin e mëparshëm” – thekson BPM-ja me pritshmëri se ky trend do të vazhdojë:

“Për tremujorin e tretë të vitit 2024, bankat presin lehtësim të moderuar neto të kushteve të kreditimit te kreditë totale për amvisëritë”.

Konkretisht, bankat i kanë ulur përqindjet e kamatave për kreditë konsumatore dhe ato për banesa, si dhe ka pasur ulje të komisioneve (provizioneve) për kreditë për shtëpi/banesa. Lehtësimi i kushteve për kreditimin e banesave, së bashku me rritjen e kërkesës, pasojnë pas rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe vlerësimit se tregu i ndërtimit të banesave ka perspektivë, gjegjësisht rentabilitet. Faktori kryesor për vendimin e bankave për uljen e kamatave ishte konkurrenca ndërbankare, kurse vetëm 24% (në Anketën e mëparshme, 54%) e bankierëve deklaruan se politika monetare ka ndikim në politikën e kamatave gjatë miratimit të kredive.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas shtatë tremujorësh ekonomikë, për herë të parë në qershor, bankierët deklaruan se presin rritje të kërkesës për kredi.

“Në tremujorin e dytë të vitit 2024, për herë të parë pas shtatë tremujorësh, ka një rritje neto të kërkesës për kredi në sektorin e “amvisërive”. Në tremujorin e tretë, bankat presin sërish që ky trend të vazhdojë” – thuhet në Anketë.

Lehtësimi i kushteve të kreditimit ndodh pas një periudhe të gjatë të politikës “së shtrënguar” kredituese për shkak të rreziqeve të shumta të brendshme dhe të jashtme që lidhen me inflacionin, goditjet e çmimeve, krizën energjetike. Në kushte të tilla, bankat zbatuan politika kreditore të kujdesshme, kurse qytetarët dhe kompanitë morën borxhe me kujdes.