Pasi u godit nga vetura, ndërroi jetë qytetari që po lëvizte me biçikletë në Tetovë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka raportuar se një 68 vjeçar nga Tetova ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një veturë. Viktima ndërroi jetë në spital, transmeton Portalb.mk.

“Në rrugën “Lubo Bozhinvski Pish” ndodhi një aksident ndërmjet veturës “Golf” dhe biçikletës”, raportoi Policia.

Shoferi i veturës ishte 42 vjeçari T.I. nga Tetova, ndërsa viktima që po lëvizte me biçikletë ishte 68 vjeçari S.S. nga Tetova.

Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhet deri në përfundim të këtij mandati, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.

Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi. 

Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt.

Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.

Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit. 

Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.