Pas sulmeve në Serbi, prokurori Joveski kërkon të ashpërsohen ndëshkimet për armëmbajtje pa leje në RMV
Prokurori publik Lubomir Joveski, nëpërmjet një reagimi ka kërkuar që të ashpërsohet politika ndëshkuese për armëmbajtje pa leje. Ai ka kërkuar që të mos zbuten sanksionet për personat që kryejnë vepër penale armëmbajtje pa leje, njofton Portalb.mk.
“Tragjeditë me të cilat përballet shoqëria serbe janë alarm edhe për ne si organ i ndjekjes penale dhe na detyrojnë si institucion që të mobilizohemi për kontroll më efikase të armatimit në shtetin tonë”, shkruan Joveski.
Ai sot dërgoi porosi deri te prokurorët publik që ta përforcojnë politikën ndëshkuese për armëmbajtjen pa leje.
“Kërkoj nga të gjithë prokurorët në shtet, gjatë veprimit, të insistojnë në sanksione më të ashpra penale për veprën penale “Armëmbajtje dhe tregtim ilegal të armëve dhe materialeve shpërthyese”. Ashpërsimi i politikës ndëshkuese patjetër duhet që të pasqyrohet në veprimin fillimisht në prokurorit themelore publike, të cilat duhet të kenë kujdes që lartësia e sanksionit për vepra të tilla penale të lëvizë në kuadër të hapësirës së caktuar ligjore, pa mundësinë e masës alternative. Përveç kësaj, prokuroritë e larta, në rastet e caktimit të sanksionit të butë me aktgjykime të para, patjetër duhet të përpiqen që nëpërmjet procedurave të shkallës së dytë, të paraqesin dënime më të larta. Nëse merren parasysh dëmet që mund të shkaktohen nga armëmbajtja pa leje, për kryerësin e veprave të këtilla penale nuk duhet të ketë zbutje të sanksioneve. Arma është mjet për kryerjen edhe të shumë veprave tjera penale dhe përdorimi i saj jashtë kornizave ligjore nuk guxon të tolerohet”, thuhet në reagimin e Joveskit.
Gjithashtu, ai theksoi se trendi i uljes së kufirit të moshës së personave që kryejnë vepra të rënda penale, vërehet edhe në vendin tonë.
“Kjo është diçka që shqetëson dhe për çka sa më shpejtë duhet të ndërmerren aktivitete konkrete parandaluese nga institucionet kompetente”, thotë Joveski.
Joveski, shprehu gatishmërinë që Prokuroria Publike aktivisht të kyçet në diskutimet publike me qëllim të ndryshimit të dispozitave ligjore.
Ndryshe më 3 maj, një nxënës në një Shkollë në Beograd vrau me armë tetë nxënës dhe rojën e shkollës.
Dy ditë më vonë, më 5 maj, një 21 vje[ar, në Mlladenovac të Beogradit vrau tetë persona dhe 14 të tjerë plagosi, në një sulm me armë zjarri.
Për këtë, shteti serb paralajmëroi reduktimin radikal të armëve në Serbi. “Të gjithë njerëzit që kanë armë – e kam fjalën për armë gjuetie, që ndodhen në duart e rreth 400.000 personave – do t’i nënshtrohen provimit, nuk do të mbeten në posedim më shumë se 30.000 deri në 40.000 armë. Ne do të zbatojmë një çarmatim të plotë të Serbisë”, deklaroi presidenti, Aleksandar Vuçiq pas dy sulmeve.
Përpos kësaj qeveria serbe deklaroi edhe kontrolle ndaj të gjithë mbajtësve të armëve në mbarë vendin gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Do të verifikohet, nëse armët ruhen në kushte sigurie dhe nëse garantohet ashtu si duhet që ato të mos jenë të aksesueshme nga persona të paautorizuar dhe nga minorenë.