Pas shumë zvarritjeve filloi ndërtimi i pishinës në Çair

Pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve, sot në Çair ka filluar ndërtimi i pishinës për fëmijët e shkollave, pritet të jetë gati në nëntor, raporton Portalb.mk.

Sipërfaqja e pishinës pritet të jetë rreth 620metra katrorë, me themel të betonit të armuar, fasadë dhe kulmi çeliku.

“Thellësia e pishinës do të jetë 80 centimetra deri 1.30 metra. Me kapacitet të pacaktuar. Do të përdoret nga shkollat për ushtrime, mësim të notit, për gara dhe rekreacion”, ka sqaruar kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu.

Ai paralajmëroi se ky objekt pritet të përfundojë në nëntor.

Pishina në çair ka një histori të gjatë premtimesh të cilat janë zvarritur. Premtimin e parë për ndërtimin e pishinës në Çair e ka dhënë Visar Ganiu në zgjedhjet lokale të vitit 2017-të. Megjithatë, pishina nuk u ndërtua në mandatin e parë. Ganiu në mandatin e dytë sërish premtoi ndërtim të pishinave, kësaj radhe tre, dy për nxënësit dhe një për të gjithë qytetarët, i cili duhet të ndërtohet tek objekti i ish pishinave.

Megjithatë, deri më tani, as pishinat për nxënësit, por as pishina për të gjithë qytetarët nuk janë ndërtuar.