Pas reagimeve të disa artistëve për largimin e 34 punëtorëve, Ansambli i këngëve dhe valleve shqipe në RMV fajin ia hodhi Qeverisë

Faqja e Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut sot ka nxjerrë performancë “live” për festën e Ilindenit me disa artistë që, nuk janë pjesë e Ansamblit. Kaq ka mjaftuar që artistë nga ky institucion, të cilët tashmë figurojnë si të papunë, të shpërthejnë në rrjetet sociale. Ata kërkojnë kthimin e të gjithë artistëve në punë dhe llogari nga drejtori i këtij institucioni, Shkodran Tolaj. Ansambli nga ana tjetër, thotë se artistët në fjalë kanë pasur kontrata pesëvjeçare, ndërsa për të qenë edhe më tej pjesë e këtij institucioni, duhet të ri-konkurrojnë, megjithëse shtojnë se konkursi nuk është zhvilluar, transmeton Portalb.mk

“E kuptojmë shqetësimin e ish të punësuarve të Ansamblit shqiptar të cilët kanë dhënë kontribut pesë vjeçar në institucion, por nuk e kuptojmë kur të njëjtët të mirë informuar nga instancat më të larta të Ministrisë së Kulturës, tentojnë që të hedhin fajin në institucion duke bërë fajtor kujdestar drejtuesin e tij, i cili nuk i bën dhe cakton ligjet por është i obliguar që ti respektojë ato! Që të mos krijohet huti dhe mjegull në opinion për pikë politike ditore sqarojmë se: të gjithë të punësuarit në Ansamblin shqiptar kanë nënshkruar kontrata pesë vjeçare ( nga 10.07.2019-10.07.2024 në kohën e ish drejtorit- ushtrues detyre Jeton Pustina). Punonjësit kanë qenë të informuar se sipas ligjit për kulturë duhet të rikonkurojnë, të ri-hynë në audicion për tu ri-punësuar në institucion ku të drejtë konkurrimi ka çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut që mendon se plotëson kushtet!”, thuhet në reagimin e Ansamblit.

Pëlqimi, shtojnë nga Ansambli, për punësime është marrë për vitin 2024, por konkursi nuk ka mundur të zhvillohet në fillim të vitit për shkak të afateve kohore të zgjedhjeve.

“Pas krijimit të Qeverisë, është përgatitur konkursi por me vendim të qeverisë së re janë anuluar vendimet e Ministrisë së Financave për punësime në të gjitha institucionet shtetërore! Si rezultat i këtij vendimi nuk është e mundur që të shpallet konkurs për punësim në ansambël pa marrë ri-pëlqim nga Ministria e Financave! Kërkesa për të rimarrë pëlqim është bërë një muaj më parë, është kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Kulturës për këtë problematikë në rrugë zyrtare nga ana e drejtorit të ansamblit, por deri tani s’ka përgjigje andaj përgjegjësia mbetet tek Qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është e vërteta rreth kësaj problematike andaj shpresojmë të zgjidhet sa më parë! Mbetemi të përkushtuar që të jemi pjesë e çdo aktiviteti që kërkohet nga ne, sikurse ky i 2 gushtit nga Qeveria, por dhe në hapjen sa më të shpejtë të konkursit në Ansamblin Nacional shqiptar që puna të vazhdojë me të njëjtin intensitet dhe sukses si deri më sot”, thonë nga Ansambli.

Pa marrë parasysh anët ligjore me të cilat politika shfajësohet, e vërteta është se 34 shtëpi do ngelen pa të ardhura, në shumicën e shtëpive kjo rrogë ka qenë i vetmi burim ekzistence. 34 njerëz të papunë në mes ka dhe grua shtatzënë që humb të drejtën e pushimit të lindjes me pagesë. 34 njerëz janë në hall të madh duke u endur lartë – poshtë dhe askush nuk u ofron zgjidhje për t’i kthyer në vendet e punës.

Artistë shprehen të mllefosur, pasi sipas tyre, lojërat politike assesi nuk duhet të rëndojë mbi kurrizin e artistëve. 

Sopranoja Besarta Murtezani , fotografi e marrë nga AKVSH
Sopranoja Besarta Murtezani, fotografi personale

Besarta Murtezani- soliste

“Drejtuesi i Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Shqiptare më 26 korrik ka ç ‘lajmëruar TË GJITHË ARTISTËT e këtij institucioni dhe aktualisht institucioni është me një këngëtar, një valltar dhe një instrumentist. Edhe sa duhet t’i përbijmë skandalet dhe turpet kur 34 punëtorë janë në RRUGË e në çdo moment presin lajm, kurse drejtuesit i kane mbet projektet pa të punësuar sikur asgjë s’ka ndodhur, përfshirë këtu edhe 2 gushtin Ditën e Ilindenit ku asnjëri nga këto që shihni në video nuk është i punësuar, Çfarë quajmë institucion? Pronë private nuk është Ansambli ,thirrni mendjes dhe mos na përdhosni durimin! Ktheni artistët në punë se keni kaluar çdo lloj kufiri. Skuquni pak! Turp,turp,turp!”

 

Tenori Jetmir Rexhepi, fotografi e marrë nga nga AKVSH
Tenori Jetmir Rexhepi, fotografi e marrë nga nga AKVSH

Jetmir Rexhepi- solist

“Kataundi digjet plaka krihet” Ansambli pranon projekte në ndërkohë ka ç’lajmëruar të gjithë të punësuarit. Turp dhe haram ju qoftë !

 

Vullnet Neziri , fotografi e marrë nga nga AKVSH
Vullnet Neziri, fotografi e marrë nga nga AKVSH

Vullnet Neziri – instrumentist, orkestrues

“5 vite punë në ansambël si oboist, orkestrues dhe shef orkestre ( për një kohë të caktuar), të s’lajmërojnë nga puna pa pikë njoftimi. Të gjithë artistët kemi ngelë në rrugë dhe të papunë, institucioni aktualisht ka vetëm 3 të punësuar, deri kur do të lejohen këto skandale ?

Drejtorit nuk i intereson dhe vazhdon me projektet me 3 të punësuar!!! Turp të ju vijë !!”

 

Solistja Era Azemi , fotografi e marrë nga nga AKVSH
Solistja Era Azemi, fotografi e marrë nga nga AKVSH

Era Azemi – soliste

Një i pensionuar para një viti, një e panjohur dhe tre të papunësuar në këtë video!!

Ky është ansambli i momentit! I mbyllur krejtësisht!

SKANDAL!

Një lëvizje e gabuar nga ana e drejtorisë, sot i tëre institucioni të PA PUNË! Nga asgjëkund dhe nga hiçi, vendim ky, në kundërshtim me ligjin! Ktheni artistët në punë dhe mos ma përzini politikën e fëlliqur me ARTIN!

TURP! TURP! TURP!

Arsim Iljazi , fotografi personale
Arsim Iljazi, fotografi personale

Arsim Iljazi- instrumentist 

“Teksa fshtati digjet, kryeplaka krihet!”

Ne, artistët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Vallave Popullore Shqiptare në R.M.V pavarësisht faktit se jemi përballur me shumë padrejtësi dhe kushte jonormale pune, nga çdo festival garues ndërkombëtar kemi sjellë çmimin e parë në shtetin tonë, kemi punuar 5 vite me devotshmëri ndaj punës dhe institucionit. Mirëpo sot nga gjithsej 37 artistë, 34 janë të ç lajmëruar nga puna!

Kush e ka fajin? Kush do merr përgjegjësi për këtë skandal që u ndodh artistëve në institucionin e kulturës që vetëm krenari i kanë sjellë shtetit dhe kulturës shqiptare në këtë vend?

Në këtë video që e shihni vetëm një anëtar është i punësuar në institucion! Me të tjerët nuk e di se çfarë marrëveshje është bërë për të qenë pjesë e koncertit të sotëm me rastin e festës shtetërore “2 Gusht” – “Dita e Ilindenit”.

Kërkojmë llogari nga organet kompetente dhe sa më parë të e rregullojnë statusin e artistëve.

Dukagjin Ismaili, fotografi e marrë nga nga AKVSH
Dukagjin Ismaili, fotografi e marrë nga nga AKVSH

Dukagjin Ismaili- instrumentist

Tashmë 8 ditë me radhë 34 artistë të Ansamblit janë të pa punë! Dikush duhet të mbajë përgjegjësi!

Ndryshe, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar në mbledhjen e 57-të të Qeverisë më 6 mars 2018 si institucion kombëtar i kulturës shqiptare.
Fillimet e para të konsolidimit të tij nisën me shpalljen e audicionit për pranimin e stafit artistik në maj të vitit 2019. Në këtë audicion, përzgjedhja e artistëve u bë nga emra kompetentë të muzikës shqiptare nga të gjitha trevat tona dhe në bazë të vlerësimeve të tyre u përzgjodhën artistët aktual që përbëjnë: sesionin e valles prej 20 valltarëve, formacionin orkestral prej 9 instrumentistëve dhe sesionin vokal prej 8 solistëve.
Koncerti i parë me program dhe kapacitet vetanak por i punuar edhe me angazhim të koreografëve dhe muzicientëve më të mirë shqiptar është mbajtur me 16 nëntor 2019 në Tetovë, në prani të qindra spektatorëve.