Pas mosreagimit për rastin në Karposh, sot MPB kapi me shpejtësinë e dritës një dhunues në Shkup

Më 06.03.2026 në orën 00:40 në zonën e Kisella Vodës, zyrtarët e policisë nga SPB Shkup privuan nga liria B.S. (55) nga Shkupi me dyshimin se ka qëlluar me armë në drejtim të gruas së tij 48-vjeçare, ka kërcënuar tre vajzat e tyre të moshës 26, 24 dhe 18 vjeç dhe e ka sulmuar fizikisht vajzën 24-vjeçare, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportimit, më 01.03.2026, pas një grindjeje paraprake në shtëpi, ai qëlloi me një plumb nga një armë, por plumbi përfundoi në dritare, pas së cilës ka shkuar te vajzat 24-vjeçare dhe 18-vjeçare, i ka kërcënuar ato dhe e ka sulmuar fizikisht vajzën 24-vjeçare. Siç raportohet, ai e përsëriti sjelljen e dhunshme rreth orës 22:30 të mbrëmjes më 05.03.2026, duke e kërcënuar përsëri gruan e tij me armë, por u pengua ta përdorte atë nga vajzat e tij. B.S. po mbahet në stacionin e policisë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihet një kallëzim përkatës”, thonë nga MPB.

Duke qenë se pas vetëvrasjes së një gruaje në Karposh të Shkupit, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare, Policia u kritikua për mosveprim, sot mesa duket, dëshiron të dëshmojë se po vepron me shpejtësinë e dritës.

Kujtojmë se më 2 mars, nëna Ivana, bashkë me vajzën e saj 6-vjeçare Katja u hodh nga një ndërtesë në Karposh rreth orës 14:00 dhe vdiqën në vend. Krejt kjo ndodhi pas dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, ndërsa policia nuk bëri asgjë, me arsyetimin se viktima i tërhiqte denoncimet.