Pas 35 viteve u hap pishina në Saraj, iu dha me koncesion kompanisë private për 800 euro në muaj

Pas 35 vjetësh, është vënë sërish në funksion pishina në Qendrën Sportive-Rekreative (QSR) “Saraj” në Shkup. Pishina olimpike, e cila në vitet 1970 dhe 1980 së bashku me Liqenin e Treskës ishte një nga vendet kryesore të pushimit veror, për vite me radhë nuk funksiononte, ishte lënë pas dore, e mbuluar nga barërat, e mbushur me mbeturina dhe e rrënuar, transmeton Portalb.mk nga SDK.

Nga kjo verë, ajo është rinovuar dhe është vënë në funksion. Me pishinën menaxhon kompania private “Duti-Akva Restoran” nga Krushopeku, e cila e ka marrë me koncesion për 25 vjet.

Nga Komuna e Sarajit deklaruan se në vitin 2023, me vendim të Qeverisë, pishina iu dha në administrim komunës. Më pas u shpall thirrje publike për dhënien me koncesion të pishinës, e cila për vite me radhë ishte e rrënuar, me qëllim që të rikthehej në funksion dhe QSR “Saraj” të bëhej sërish një nga vendet kryesore të rekreacionit në qytet.

Pronari i kompanisë koncesionare, Elfat Shaqiri, tha se e kanë marrë me koncesion për 25 vjet, me qira mujore prej 49.600 denarësh (rreth 800 euro).

“Për tre muaj e pastruam nga mbeturinat dhe barërat. Pishina është rinovuar tërësisht, si edhe hapësira përreth saj. Mbetet vetëm të rinovohen zhveshtoret. Kullën e kërcimeve, për të cilën kjo pishinë ishte e njohur, e rrënuam sepse pas inspektimeve na u tha se nuk ishte e sigurt dhe mund të shembej. Kemi një shpëtimtar të licencuar të angazhuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq”, tha Shaqiri.

Bileta kushton 300 denarë për të rriturit dhe 150 denarë për fëmijët.

Kujtojmë se Revizioni në dhjetor 2025 njoftoi se është zhvilluar procedurë e zbatuar në mënyrë të paligjshme për dhënien me qira të “Objektit Sportiv dhe Rekreativ dhe Pishinës në Saraj” për 25 vjet dhe parregullsi në zbatimin e prokurimit publik në lidhje me lëndën e prokurimit, aktivitete të kryera jashtë specifikimit teknik dhe tejkalim të pragjeve të vlerës. Revizioni zbuloi se objekti sportiv dhe rekreativ dhe pishina në Saraj janë dhënë me qira për një periudhë prej 25 vitesh, pa u zbatuar procedura e përcaktuar me ligj për qira afatgjatë, ku çdo kontratë për përdorimin e pasurisë së paluajtshme që tejkalon 10 vjet konsiderohet procedurë për tjetërsim të përhershëm ose qira afatgjatë dhe për qiradhënien ligjërisht të vlefshme të asaj prone, duhet të ndiqet një procedurë e veçantë, pëlqime dhe miratime shtesë.

QSR “Saraj” është një nga zonat më të vjetra rekreative në Shkup, me një sipërfaqe prej 240.000 metrash katrorë në bashkimin e lumenjve Vardar dhe Treskë. Sipas të dhënave të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim”, ajo është ndërtuar në vitin 1948, kur me planin urbanistik ishte paraparë rajoni Saraj-Matkë, i mbushur me pishina, fusha futbolli, tribuna dhe shtigje.

Më vonë, rajoni Saraj-Matkë u zhvillua në një qendër sportive dhe rekreative me terrene sportive përgjatë lumit Vardar dhe Liqenit të Treskës. Në vitin 1955, plani urbanistik u rishikua dhe u ndërtuan pishina, fushat e futbollit dhe objektet e tjera rekreative. Në vitin 1964 u hartua plan i ri urbanistik, me të cilin u planifikuan sipërfaqet publike të gjelbra dhe zonat sportive-rekreative. Ndërsa në vitin 1971, nga NP “Parqe dhe Gjelbërim” u përgatit projekti për Qendrën Sportive “Saraj”, me të cilin u përcaktuan zonat e gjelbra urbane dhe periferike, parqet, sheshet dhe sipërfaqet e tjera të gjelbra në territorin e Shkupit, si dhe hapësirat e gjelbra për rekreacion aktiv dhe pasiv.