Parada e shqiptarëve zbarkon për 28 Nëntor në Tiranë

Parada e shqiptarëve këtë 28 Nëntor vjen për herë të parë në Tiranë, ky aktivitet realizohet në bashkëpunim me  “Albanian Roots”, ndërsa lajmin e bëri të ditur kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, transmeton Portalb.mk.

Veliaj bëri thirrje që  të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Këtë vit, kemi menduar të organizojmë diçka krejt të veçantë, që do ta mbajmë mend gjatë. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mu në zemër të kryeqendrës së shqiptarëve, vjen “Parada e Shqiptarëve”, një festë e paharruar për Ditën e Pavarësisë, plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se pjesëmarrëse do të jenë mbi 125 komuna nga trojet shqiptare, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë.

Mandej, ai shpreh lumturinë që kjo paradë e jashtëzakonshme do të mbahet në Tiranën e transformuar vitet e fundit.

Veliaj falënderoi edhe “Rrënjët shqiptare”, që pas 15 vitesh organizimi në New York, e riktheu Paradën në Shqipëri.

Me 28 nëntor shënohet 111 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë e cila u shpall në vitin 1912.