Paketa e katërt e sanksioneve: Katër emrat të rinj në “listën e zezë” të BE-së për destabilizimin e opinionit publik

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të hënën paketën e katërt të sanksioneve në kuadër të regjimit evropian për të luftuar manipulimin rus të informacionit, i njohur si FIMI. Tre nominime u propozuan nga Letonia, ndërsa një emërim u propozua nga Franca dhe shënjestron propaganduesin francez Adrien Bocquet. Në detaje, individët e sanksionuar janë gazetari dhe propaganduesi britanik Graham Williams Phillips, propaganduesi rus Sergey Klyuchenkov, gazetari dhe prezantuesi televiziv rus Ernest Mackevicius dhe propaganduesi francez Adrien Bocquet, shkruan Portalb.mk.

Me këtë vendim, masat kufizuese të miratuara për shkak të aktiviteteve destabilizuese të Rusisë tani zbatohen për gjithsej 69 individë dhe 17 entitete. Individët dhe entitetet e listuara i nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndërsa qytetarëve dhe bizneseve të Bashkimit Evropian u ndalohet t’u vënë në dispozicion fonde, asete financiare ose burime ekonomike. Personat fizikë të përfshirë u nënshtrohen gjithashtu një ndalimi udhëtimi, i cili u ndalon atyre hyrjen ose tranzitimin përmes territorit të Bashkimit Evropian.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar Adrien Bocquet, ku me rastin e miratimit të paketës së re të emërimeve nën regjimin që shënjestron aktorët e destabilizimit rus në Këshillin e Punëve të Jashtme më 16 mars, Franca propozoi sanksionimin e tij. Ky individ franko-rus, një ish-ushtarak francez dhe propagandues pro-Kremlinit, është shumë aktiv në përhapjen e propagandës ruse në Evropë dhe Rusi. Adrien Bocquet mori shtetësinë ruse në shkurt të vitit 2023 përmes një dekreti të Presidentit Vladimir Putin dhe tani jeton në Moskë. Ai është shumë i pranishëm në sferën joformale pro-ruse përmes intervistave me televizionet ruse dhe kontributeve në mediat e mbështetura nga Kremlini, siç është International Reporters. Bocquet amplifikoi narrativa që deformojnë realitetet e luftës në Ukrainë, duke u prezantuar njëkohësisht si ekspert ose gazetar. Në llogarinë e tij në rrjetin social X, ku numëron 18,000 ndjekës, si dhe në mediat ruse, ai transmeton sistematikisht narrativat e Kremlinit, duke përfshirë mohimin e krimeve ruse të luftës dhe akuzat e rreme kundër Ukrainës.

Ai mori pjesë në prodhimin e raporteve që promovojnë mercenarët e huaj që luftojnë për Rusinë në Donbas dhe shumë kohët e fundit, në dhjetor të vitit 2025, po transmetonte përmes llogarisë së tij në X thirrje për t’u bashkuar me ushtrinë ruse.

Këto raporte nga vija e parë e frontit ukrainas e çuan atë në bashkëpunim me Sergei Munier. Sergei Munier është një aktivist i ekstremit të dhjathtë franko-ukrainas pro-rus, i cili dyshohet se ka luftuar për grupe mercenare ruse në Ukrainë, duke përfshirë kompaninë ushtarake private Redut, e cila kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake GRU. Përmes rolit të tij si korrespondent për Afrique Media, ai kontribuon gjithashtu në përhapjen e narrativave të propagandës ruse në Afrikë. Ai u mburr në verën e vitit 2023 se kishte kontribuar në intervistimin e Yevgeny Prigozhin nga kjo media panafrikaniste. Duke shfrytëzuar shtetësinë dhe origjinën e tij franceze, Adrien Bocquet kërkon t’i drejtohet në veçanti publikut francez. Kjo kontribuon në qëllimin e Kremlinit për të destabilizuar shoqërinë franceze dhe për të polarizuar opinionin publik mbi temën e luftës në Ukrainë. Vendosja e sanksioneve ndaj Adrien Bocquet dërgon një sinjal për zyrtarët e propagandës së Kremlinit, por gjithashtu edhe për qytetarët francezë që janë objektivat e tyre.