Osmani u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës të dalin masivisht në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin sa më masivisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi që po mbahen sot, raporton Koha.net. Shqiptarët në këto zgjedhje po garojnë me dy lista.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

“Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative. Prandaj, ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë në këto treva, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar, edhe pse kjo e drejtë e tyre vazhdon të jetë nën sulm nga regjimi në Beograd”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.