Osmani: Të hënën presim konsensus për kryesuesin e ri të OSBE-së

E hëna do të jetë dita D”. Pres që të arrihet konsensus për kryesuesin e ri të OSBE-së, tha sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në takimin me gazetarët me rastin e Këshillit të ardhshëm Ministror në Shkup. Siç bën të ditur Osmani, po bëhen të gjitha përpjekjet që të arrihet një marrëveshje. Gjithashtu u kërkua alternativë – mbështetje nga Malta për t’u ofruar si kandidat, transmeton Portalb.mk.

Vendi e ka lënë të hapur këtë mundësi, nëse ka konsensus.

“Interesat kombëtare nuk duhet të mbizotërojnë mbi interesin kolektiv. Shpresojmë që të hënën të kemi sukses, të arrijmë një sukses historik në sigurimin e një kryetari të OSBE-së. Kjo është ajo në të cilën ne jemi duke u fokusuar për momentin. Organizata nuk duhet të mbetet pa kryetar. Nëse deri të hënën nuk ka vendim, duhet të tregojmë përgjegjësi”, tha Osmani.

Sipas tij, nëse nuk arrihet konsensus, OSBE-ja do të hyjë në çështje krejtësisht të padefinuara, gjë me të cilën organizata nuk është përballur kurrë më parë.

Osmani bën të ditur se ardhja e pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave pritet të fillojë më 28 nëntor, kurse darka joformale me numrin më të madh të ministrave është caktuar për 29 nëntor.

Në darkë, shefi i diplomacisë dhe kryetari i OSBE-së pret të prezantojë pikëpamjet e shteteve për të ardhmen e OSBE-së, por siç tha ai, temë do të jetë edhe agresioni në Ukrainë.

Këshilli i Ministrave është parashikuar të mbajë edhe disa, të ashtuquajtura evente të tjera anësore, për të cilat janë planifikuar disa tema: Ukraina, ndryshimet klimatike, rinia dhe shoqëria civile.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.

Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023. Kryesimi i organizatës më të madhe rajonale të sigurisë në botë është i përqendruar në operacionet në terren të OSBE-së dhe kontributin e tyre në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe bashkëpunimin me institucionet kombëtare. Nën sloganin “Fjala është për njerëzit”, Kryesimi i Maqedonisë së Veriut i ishte përkushtuar sigurisë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale.