Orban kritikoi Brukselin: Në Parlamentin Evropian mbizotëron ‘hungarofobia’

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban akuzoi liderin e grupit të mazhorancës në Parlamentin Evropian për qasje anti-hungareze. Orban e cilësoi Manfred Veber, një politikan gjerman dhe kryetar i Partisë Popullore Evropiane si “hungarofob”, raporton EN.

“Për sa kohë Manfred Veber do të udhëheqë Partinë Popullore në Bruksel nuk do të ketë rëndësi se çfarë do të thonë partitë e tjera që i përkasin grupimit të saj. Gjithçka është një shfaqje. Manfred Veber ka vetëm një qëllim në zemrën e tij dhe ai është të dëmtojë Hungarinë”, tha Orban.

Këto sulme vijnë pasi PPE së fundmi hapi dyert për kundërshtarin politik të Orban, Peter Magiar dhe partinë e tij TISZA. Ndërsa partia Fidesz e Orban braktisi grupin e PPE-së në vitin 2021, pas një votimi që i hapi rrugë pezullimit, ose dëbimit të saj nga grupi euro-parlamentar.

“U kujtoj të gjithëve se Von der Leyen fitoi votëbesimin e parlamentit me 13 vota, 9 prej të cilave ishin tonat. Ndaj, qëndrimi i partisë Fidesz sa i takon personit që do të ishte president i Komisionit ishte vendimtar. Natyrisht edhe me Von der Leyen ka probleme, por sikurse e thashë, ajo është vetëm një shërbëtore krahasuar me hungarofobinë nga e cila vuan zoti Veber”, u shpreh Orban.

Partia hungareze e Qendrës, Tisza, e drejtuar nga Magiar, fitoi 7 nga 21 vendet e Hungarisë në Parlamentin Evropian, duke mundur partinë e Orban dhe aleatët kristian-demokratë.