“One-stop-shop” nuk i zhduki radhët kilometrike në “Qafë Thanë”, siç premtuan qeveritarët e RMV-së dhe Shqipërisë

Koncepti i shumëpritur “one stop shop” në vendkalimin kufitar Qafë Thanë ende nuk po i jep rezultatet e dëshiruara, përfshirë këtu kriterin kryesor në pikun e sezonit turistik: më pak radhë pritje për ta kaluar kufirin. Edhe përkundër zotimeve të krerëve shtetëror se ky model do të lehtësojë qarkullimin e do të rris bashkëpunimin me dy vendeve duket se ka shumë mangësi në praktikë, shkruan Portalb.mk.

Vazhdojnë pritjet e gjata në pikën kufitare Qafë Thanë edhe pas aktivizimit të konceptit “one-stop-shop”. Në ceremoninë e zyrtarizmit të këtij koncepti, ku morën pjesë dhe kryeministri i RMV dhe ai i Shqipërisë, u tha se  vendosja e kontrolleve të përbashkëta kufitare ka për qëllim të lehtësimit të tregtisë, përmirësimit të konkurrencës së kompanive dhe zvogëlimit të kohës së pritjes në kufi ndërsa bashkëpunimi dhe besimi i nivelit më të lartë mes dy vendeve do të kontribuojë në sigurinë më të madhe të kufijve dhe uljen e korrupsionit. Autoritetet e të dyja palëve konceptin “one stop shop” e quajtën shkrirje kufijsh dhe lehtësim të procedurave doganore, megjithatë përtej skepticizmit kritik praktika me dy pikat tjera kufitare, atë të Tabanocës dhe Bellanocës, modeli “One Stop Shop” ka treguar se kontrollet policore dhe doganore janë njësoj, madje puna në një sportel ka bërë që mos të arrijnë të kontrollohen dy makina paralelisht nga policët shqiptarë dhe maqedonas ngaqë veturat pengojnë njëra-tjetrën. Ministritë e Brendshme të Shkupit dhe Tiranës nuk kanë një sistem të integruar të të dhënave mes veti dhe vazhdojnë të zbatohen dy kontrolle në hyrje dhe në dalje.

Zyrtarizmi i konceptit one stop shop ne Qaf Thanë - Burimi i fotografisë: customs.gov.mk
Zyrtarizmi i konceptit one stop shop ne Qaf Thanë – Burimi i fotografisë: Doganat e RMV-së

Realiteti i përditshëm në vendkalimin kufitar vazhdon të jetë i njëjtë, me të arritur të demoralizon kolona e gjatë e pritjes për të kaluar kufirin, qoftë për hyrje apo dalje. Kohëzgjatja e pritjes ndryshon varësisht nga periudha e ditës dhe shpesh kolona kilometrike krijohen në hyrje të Shqipërisë për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes drejt këtij vendi gjatë periudhës turistike. Një bashkëbisedues i Portalb.mk, i cili kaloi në vend-kalimin kufitar Qafë Thanë më 2 gusht, rrëfen se iu deshën mbi 45 minuta pritje për të hyrë në Maqedoninë e Veriut ndërkohë ata që prisnin për të hyrë në Shqipëri prisin edhe më shumë.

“Nga ajo që pash unë koncepti “one-stop-shop” vetëm e ka komplikuar punën në pikën kufitare Qafë Thanë dhe aspak nuk e ka lehtësuar. Kolona të gjata kishte nga të dyja anët, më shumë për të hy në Shqipëri. Procesi është i njëjtë vetëm se dy kontrolloret tash janë në një kabinë. Dhe kur njeri e kontrollon pasaportën, tjetri rri dhe pret kot për ta marrë pasaportën pasi ta kontrolloje ky i pari dhe ndërkohë nuk mund të procedojë veture tjetër”, deklaroi bashkëbiseduesi.

Qaf Thanë hyrja për në RMV, fotografuar më 02.08.2023 / PORTALB.mk
Qaf Thanë hyrja për në RMV, fotografuar më 02.08.2023 / Portalb.mk

Nga MPB thonë se gjatë sezonit turistik rritet dukshëm numri i qarkullimit në këtë pikë kufitare dhe njoftojnë për zbatimin e konceptit “one stop shop” pa specifikuar nëse presin që të jetë funksional ose jo.

“Gjatë sezonit turistik veror, trafiku i pasagjerëve dhe automjeteve rritet dyfish më shumë krahasuar me muajt e tjerë të këtij viti. Gjatë sezonit turistik veror, rreth 10 mijë pasagjerë kalojnë kalimin kufitar Qaf Thanë në 24 orë. Nga 31.07.2023 kalimin kufitar Qaf Thanë ka filluar zbatimin e marrëveshjes për kontrolle të përbashkëta kufitare në pikën e përbashkët kufitare Qafasan/Qaf Thane, e cila duhet të kontribuojë në një fluks më të madh të udhëtarëve”, deklaruan për Portalb.mk nga Ministria për Punë të Brendshme (MPB).

Sipas të dhënave të MPB vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti në Qafë Thanë kanë lëvizur mbi 770 mijë qytetarë dhe mbi 352 mijë automjete. Në fund të muajit korrik ka pasur një fluks të madh të lëvizjes së qytetarëve në pikën kufitare Qafë Thanë të shoqëruar me shumë probleme në sistem dhe revoltë të madhe tek udhëtarët. Vetëm pak javë më parë Portalb.mk raportoi për kolona kilometrike që prisnin më shumë se një orë për të dalë nga Maqedonia e Veriut ndërsa në anën tjetër të kufirit situata ishte komplet ndryshe ku kalimi i pikës kufitare nga ana e Shqipërisë bëhej për më pak se 5 minuta.

Sipas burimeve të Portalb.mk ka një sërë arsyesh pse në anën e Maqedonisë së Veriut krijohen aq shumë radhë pritjeje, duke filluar nga mungesa e kapacitetit të stafit deri te problemet teknike të sistemit në këtë pikë kufitare. Edhe pse në pikën kufitare është paraparë të punojnë 61 policë aktualisht në Qafë Thanë punojnë vetëm 26 policë, problem tjetër është edhe mos funksionimi i sistemit kufitar me internetin optik ku si pasoj sistemi shpesh bie dhe policët detyrohen që udhëtarët t’i regjistrojnë një nga një duke i shkruar me laps në ditar. Një tjetër problem që e ngadalëson qarkullimin në anën e RMV-së është edhe fakti se sportelet janë të vendosura në anën e kundërt që d.m.th. vetura ndalon del shoferi prej veture dhe ja dorëzon policit dokumentet dhe pret për t’i kontrolluar.

Nga ana tjetër, Shqipëria përdor një qasje tjetër selektive për t’i zbutur radhët e pritjes. Gjatë hyrjeve në Shqipëri, shteti shqiptar regjistron vetëm burrat ndërkohë nuk i evidenton gratë dhe fëmijët me qëllim që ta shpejtojë qarkullimin.

Kolona pritje në Qaf Thanë për dalje nga RMV, fotografuar më 22.07.2023 nga Shefkije Alasani/ Portalb.mk
Kolona pritje në Qaf Thanë për dalje nga RMV, fotografuar më 22.07.2023 nga Shefkije Alasani/ Portalb.mk

Kryeministrat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, më 31 korrik lëshuan zyrtarisht funksionimin e konceptit One Stop Shop në vendkalimin kufitarë Kafasan – Qafëthanë. Finalizimi i këtij projekti i pasoi nënshkrimit të Protokollit të fundit për zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e një kalimi të përbashkët kufitar mes RMV-së dhe Shqipërisë, si dhe premtimeve të shumta për një kalim të përbashkët kufitar që nga viti 2019.

Lexo analizën e Portalbit për pika të përbashkëta kufitare mes RMV-së dhe Shqipërisë: Premtime vetëm në letër për pikë të përbashkët doganore Maqedoni e Veriut – Shqipëri