Deficiti fiskal në RMV arriti në 4,3% të PBB-së më 2025, objektivi prej 3% është shtyrë për vitin 2028
Takimi i 23-të i Nënkomitetit për Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, u mbajt në Shkup më 21 tetor. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE) diskutuan me autoritetet përkatëse të Maqedonisë së Veriut për zhvillimet e fundit. Nënkomiteti shërben si platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi zhvillimet në fushën e ekonomisë, çështjeve monetare dhe financiare, si dhe mbi sfidat aktuale, përmes takimeve që mbahen çdo vit, transmeton Portalb.mk.
Rritja ekonomike u përshpejtua në vitin 2025, duke arritur në 3,5%, e nxitur nga investimet dhe konsumi i familjeve. Inflacioni i përgjithshëm u rrit në 4,1% në vitin 2025, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë, të shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme. Inflacioni mbeti në nivele të larta gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, përpara se të fillonte të zbriste gjatë verës, falë ngadalësimit të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore.
Shkalla e papunësisë ra mesatarisht në 11,7% në vitin 2025 dhe shënoi një rënie të mëtejshme të lehtë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Tregu i punës vazhdon të përballet me mangësi strukturore, si emigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar, shkalla e ulët e pjesëmarrjes në tregun e punës, veçanërisht e grave, si dhe mospërputhja ndërmjet aftësive të fuqisë punëtore dhe nevojave të tregut.
Deficiti i llogarisë korrente u zgjerua nga 2,6% në vitin 2024 në 4,7% në vitin 2025, kryesisht për shkak të përkeqësimit të bilancit tregtar të mallrave dhe uljes së të ardhurave dytësore. Deficiti fiskal në vitin 2025 arriti në 4,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Përmes Rebalancit të buxhetit, qeveria e rriti objektivin e deficitit fiskal për vitin 2026 në 4,1%, me qëllim financimin e projekteve infrastrukturore. Njëkohësisht, ajo e shtyu deri në vitin 2028 arritjen e objektivit të deficitit prej 3%, siç kërkohet nga rregulli fiskal. Rritja ekonomike në vitin 2026 parashikohet të mbetet e qëndrueshme dhe të nxitet nga kërkesa e brendshme, me një kontribut të konsiderueshëm nga investimet në infrastrukturën publike, veçanërisht nga realizimi i punimeve në Korridoret Rrugore 8 dhe 10d. Komisioni Evropian mirëpriti efektet e para pozitive të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) në vitin 2025. Gjithashtu, u mirëprit mobilizimi i fondeve për mbështetjen e mjedisit të biznesit dhe tranzicionit të gjelbër e digjital. Duke marrë parasysh përparimin e mirë të arritur së fundmi në përmbushjen e hapave të Agjendës së Reformave, u inkurajua intensifikimi i mëtejshëm i përpjekjeve, të cilat synojnë, ndër të tjera, edhe formalizimin e ekonomisë joformale.
Sa i përket statistikave, Komisioni Evropian rikonfirmoi angazhimin e tij për të mbështetur Maqedoninë e Veriut dhe vlerësoi përparimin e arritur. Gjithashtu, Komisioni theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit për regjistrimin e bujqësisë gjatë vitit 2026 dhe realizimit të këtij regjistrimi në vitin 2027, si dhe të sigurimit të personelit të mjaftueshëm dhe burimeve të nevojshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikës, veçanërisht për realizimin e anketave statistikore dhe zbatimin e inovacioneve. Po ashtu, u theksua rëndësia e sigurimit të qasjes së këtij institucioni në burimet e të dhënave administrative dhe në të dhënat që zotërohen nga subjektet private, si dhe nevoja për të vazhduar përmirësimin e zbatimit të Sistemit Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010), veçanërisht në fushën e statistikave të financave qeveritare dhe statistikave për Procedurën e Deficitit të Tejkaluar (EDP).
Komisioni Evropian mirëpriti miratimin e fundit të Ligjit për Revizionin Shtetëror dhe përparimin e arritur në zbatimin e Ligjit për Sistemin e Kontrollit të Brendshëm Financiar në Sektorin Publik (KBFP), si dhe inkurajoi miratimin e të gjitha akteve nënligjore brenda 18 muajve nga miratimi i ligjit. Kjo u theksua si veçanërisht e rëndësishme në kuadër të Agjendës së Reformave, duke pasur parasysh nevojën për forcimin e kontrolleve të brendshme. Komisioni ritheksoi rëndësinë e sigurimit të personelit të mjaftueshëm në institucionet e përfshira në kontrollin e brendshëm financiar publik, veçanërisht në njësitë e auditimit të brendshëm. Maqedonia e Veriut gjithashtu paraqiti informacion të përditësuar mbi planet e saj për auditimin e jashtëm gjatë vitit të ardhshëm.
Së fundi, sa i përket mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, u mirëprit pjesëmarrja aktive e Maqedonisë së Veriut në Konferencën AFCOS, të mbajtur më 6 dhe 7 tetor. Komisioni Evropian mirëpriti gjithashtu përgatitjen dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Mashtrimit për Mbrojtjen e Interesave Financiare të Bashkimit Evropian për periudhën 2026–2030.
Po ashtu, Komisioni inkurajoi Maqedoninë e Veriut të vazhdojë të shënojë rezultate konkrete në raportimin e parregullsive dhe në bashkëpunimin gjatë hetimeve.