Nxënësit e Dibrës mblodhën 224 mijë denarë për shokët e tyre
Një grup nxënësish të viteve të treta nga Dibra, të moshës 17–18 vjeç, kanë realizuar me sukses një iniciativë të jashtëzakonshme humane, duke mbledhur 224,000 denarë nga bizneset lokale për t’u mundësuar bashkëmoshatarëve të tyre, që nuk kishin mundësi financiare, të marrin pjesë në ekskursion, shkruan Portalb.mk.
Ajo që nisi si një projekt i vogël shkollor njëditor, shumë shpejt u shndërrua në një aksion serioz solidariteti. Nxënësit vendosën të mos mjaftohen me ndihmë simbolike, por të synojnë mbulimin e të gjithë atyre që rrezikonin të mbeteshin jashtë ekskursionit për arsye ekonomike.
Ky projekt u udhëhoq nga Prof. Afrim Luznaku, i punësuar në të njëjtin gjimnaz, i cili ishte iniciatori dhe koordinatori kryesor i gjithë aksionit, duke udhëzuar dhe mbështetur nxënësit në çdo hap të realizimit të kësaj nisme humane.
“Kur pamë që disa bashkëmoshatarë tanë mund të mos merrnin pjesë në ekskursion për shkak të kushteve financiare, vendosëm të marrim përgjegjësi. Nga ai moment, nuk ishte më vetëm një ide, por një projekt që e ndërtuam dhe e realizuam vetë”, deklaroi për Portalb.mk, Engjëll Dena, njëri nga nxënësit organizatorë.
Sipas tij, reagimi i bizneseve në Dibër ishte mbi pritshmëritë. Edhe pse në fillim kishin menduar se do të hasnin në hezitim, shumica e bizneseve treguan gatishmëri të menjëhershme për të kontribuar.
“Falë mbështetjes së bizneseve dhe angazhimit tonë, arritëm të mbledhim 224,000 denarë brenda vetëm tre ditësh. Kjo na tregoi se kur qëllimi është i drejtë, komuniteti di të bashkohet dhe të reagojë shpejt”, tha ai.
Nxënësit e organizuan punën si ekip, me role të ndara qartë: disa kontaktuan bizneset, disa menaxhuan fondet, ndërsa të tjerë koordinuan grupin. Kjo mënyrë organizimi u mundësoi të vepronin shpejt, me përgjegjësi dhe me efikasitet.
Për ta, suksesi më i madh nuk është vetëm shuma e mbledhur, por fakti që shokët dhe shoqet e tyre nuk do të mbeten jashtë një përvoje të rëndësishme shkollore.
“Kur sheh që puna jote i jep dikujt mundësinë të mos ndihet i përjashtuar, e kupton se ndikimi është real. Kjo na motivoi ta marrim edhe më seriozisht atë që bëmë”, shtoi Dena.
Nxënësit paralajmërojnë se kjo nuk do të jetë iniciativa e fundit. Ata synojnë që në të ardhmen të organizojnë projekte edhe më të strukturuara, me më shumë transparencë, planifikim dhe përfshirje demokratike në vendimmarrje.
Mesazhi i tyre është i fuqishëm dhe i qartë: kur rinia lëviz, lëviz edhe qyteti.
“Në Dibër e kupton shpejt se nëse të rinjtë nuk lëvizin, asgjë nuk lëviz. Rinia është struktura e një shteti dhe nuk ka shtet pa rini dhe pa iniciativa”, përfundoi Engjëlli.