Nuk ka nevojë as të debatojmë nëse ekziston gjuha maqedonase, porositi ambasadori britanik në Shkup

Mesazhe për ekzistimin e gjuhës maqedonase ka dërguar sot pasdite ambasadori britanik në vend, Matthew Lawson, në pritjen e organizuar nga ambasada me rastin e ditëlindjes së mbretit britanik Charles III, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Nuk duhet të debatojmë nëse ekziston gjuha maqedonase. E flasim atë, mësohet në universitetet tona, kontratat e biznesit shkruhen në gjuhën maqedonase… Më duket se kushdo që mohon ekzistencën e gjuhës maqedonase nuk e ka thënë ‘Wizzair’ sepse çdo muaj kontrolloj maqedonisht për fluturimin tim kur të kthehem në shtëpi. Kjo është mënyra ime, mënyra jonë britanike për të thënë “ne jemi partnerët, miqtë dhe aleatët tuaj, ne vazhdojmë të ushqejmë miqësinë tonë”, tha Lawson.

Britania e Madhe dhe Maqedonia e Veriut këtë vit shënojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, për të cilat Lawson tha se vendi do ta ketë gjithmonë mbështetjen e tyre si partner i barabartë.

“Ne gjithmonë do ta mbështesim Maqedoninë e Veriut si partner të barabartë në tregti, investime, në NATO, OSBE, Kombet e Bashkuara. Partneriteti ynë shtrihet në kulturën, gjuhën dhe historinë tuaj”, shtoi Lawson.

Në manifestimin e mbajtur në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup mori pjesë edhe përfaqësuesi special britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili theksoi se janë krenarë që edhe Maqedonia e Veriut qëndron me Ukrainën.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën përballë agresionit rus sepse besojmë në demokracinë dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Jemi krenarë që edhe Maqedonia e Veriut qëndron me Ukrainën, jo vetëm duke qenë një donator i rëndësishëm dypalësh, por edhe duke kontribuar në sigurinë më të gjerë evropiane përmes NATO-s”. tha Peach.

Ai tha se Maqedonia e Veriut luan rol udhëheqës në nivel ndërkombëtar jo vetëm përmes NATO-s, duke kujtuar se vendi është kryesues i OSBE-së në një kohë kur Rusia po përpiqet të minojë qasjen e bazuar në konsensus të organizatës.

Ai foli edhe për reformat që duhet të zbatohen, për të cilat tha se angazhimi politik është thelbësor dhe se Mbretëria e Bashkuar po punon së bashku me Maqedoninë e Veriut në mbështetjen e institucioneve, shoqërisë civile, mediave të lira, duke promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë barazinë gjinore.

Peach njoftoi gjithashtu se së shpejti do të hapet një dhomë biznesi MB/Maqedonia e Veriut, e cila do t’u mundësojë të tjerëve të ndajnë frytet e këtij partneriteti.

Në pritjen e Ambasadës Britanike me rastin e ditëlindjes së mbretit Charles III morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit, si kryeministri dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë, si dhe kryetari i Kuvendit.

Në kuadër të festimit të ditëlindjes, sot është luajtur një ndeshje futbolli ndërmjet përzgjedhjes së vajzave të Maqedonisë së Veriut dhe skuadrës ushtarake të Britanisë së Madhe.