Njomza Imeri Ismaili: Skena e madhe e Qendrës për Kulturë në Tetovë kërkon zgjidhje urgjente, duhen 4-5 milionë euro për modernizim
Qendra e Kulturës ka krijuar tashmë strategji edhe afat shkurte edhe afat gjate, mbetet që institucioni të ketë kuadrin e nevojshëm artistik që të mund të realizojë planet. Kështu tha për Portalb.mk Njomza Imeri Ismaili drejtoreshë në Qendrën për Kulturë në Tetovë. Ajo gjithashtu potencoi se e vetmja problematikë mbetet mospasja e hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e këtyre veprimtarive, ndaj edhe disa punë janë të detyruar t’i lënë në pritje derisa të krijohen kushte të volitshme për mbarëvajtje.
Portalb.mk: Qendra për Kulturë në Tetovë është një nga institucionet kryesore të jetës kulturore në qytet. Në çfarë gjendje e gjetët këtë institucion kur morët drejtimin, si në aspektin organizativ, programor dhe infrastrukturor?
Njomza Imeri Ismaili: Është e vërtetë se Qendra e Kulturës bart pjesën dërmuese të aktiviteteve kulturore në qytet, por jo vetëm atë kulturor, por tek ne realizohen edhe shumë veprimtari të tjera si ato arsimore, politike, fetare e sportive, shkaku se qyteti njeh vetëm sallën e madhe të Qendrës së Kulturës si më të përshtatshme për këto aktivitete, me një kapacitet prej 650 ulësesh.
Ardhja ime në këtë institucion është pak sa e vonuar, sepse projektet për këtë vit janë të miratuara që në janar dhe nuk më mbeti shumë kohë që të merrem edhe me projektet e vitit që vjen. Por, në përgjithësi shërbimet e këtij institucioni duke njohur problematikat me të cilën ballafaqohet institucioni mi detektuan problemet kyçe, kështu që për një pjesë vetëm se e përgatitëm dokumentacionin e nevojshëm me të cilën u konkurrua në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit dhe diçka tjetër do mbetet që të përpiqemi të realizojmë me forcat tona.
Në aspektin organizativ çalojmë me kuadro të profilit profesional, pra atij artistik, që në mandatin tim do e kem prioritet të sjell kuadro, fakt ky që ndërlidhet automatikisht me aspektin programor me çka qytetarëve do kishim mundësi t’iu ofrojmë më shumë program kulturor. Gjithashtu edhe shërbimi teknik në institucion mungon, vetëm sa për shembull mund të them se për momentin disponojmë vetëm me një pastruese, e cila e ka të pamundur t’i përgjigjet gjitha kërkesave që ka ky objekt.
Edhe në aspekt të infrastrukturës nuk e kemi situatën aspak të lakmueshme, shkaku se në këtë objekt funksionojnë katër institucione nacionale (Qendra e Kulturës, Biblioteka e qytetit, Teatri i Tetovës dhe Ansambli muzikor), pastaj fakulteti i arteve, dega e aktrimit i Universitetit të Tetovës, Këndi Amerikan, European House, Aleanca Franceze, me çka vështirësojnë tej mase punën tonë, ngase ne jemi bartës të objektit dhe gjitha telashet dhe barra na bie neve si institucion.
Portalb.mk: A ka pasur ndonjë analizë të brendshme apo vlerësim për funksionimin e deritanishëm të Qendrës, dhe cilat janë boshllëqet kryesore që keni identifikuar?
Njomza Imeri Ismaili: Nga ajo që punonjësit në këtë institucion më kanë njoftuar, funksionimi i institucionit vazhdon pa pengesa, ndërsa boshllëqet lidhen me mospasjen e hapësirave të nevojshme për funksionim normal të institucionit shkaku i mbingarkesës me institucionet tjera që funksionojnë në objektin tonë.
Portalb.mk: Cilat janë prioritetet e para që po ndërmerrni për të reformuar ose përmirësuar funksionimin e institucionit në shërbim të komunitetit?
Njomza Imeri Ismaili: Një nga çështjet kyçe që kërkon zgjidhje emergjente është rregullimi i pjesës skenike të sallës së madhe, për të cilën merremi intensivisht të detektojmë të gjitha problemet dhe t’i eliminojmë sa më parë që të jetë e mundur duke pasur parasysh se institucioni brenda vitit realizon një numër të madh aktivitetesh si ato vetanake ashtu edhe nga dhënia me qira, që sipas evidencave që i kemi, çdo vit realizohen mes 80 deri 130 aktivitete në vit, që mesatarisht i vjen pothuajse në çdo tre ditë nga një aktivitet. Problemi i mosinterevenimit të menjëhershëm është se pajisjet janë të vjetra dhe vetëm mund t’i riparojmë ose meremetojmë, në të kundërtën po u bë ndonjë projekt i ri, sipas parashikimeve që janë bërë, institucioni ka nevojë për një buxhet 4-5 milionë euro që të modernizohet. Por meqë ende mbetet të jemi të stërngarkuar me institucione tjera edhe ky investim nuk është i qëlluar për momentin. Në ndërkohë, edhe publiku tetovar e di që problem disa vjeçar ka qenë nxemja e sallës, për të cilën janë ndërmarrë dhe realizuar disa hapa, me çka besojmë që do t’i jepet fund edhe kësaj problematike, edhe pse siç e ceka më parë objekti është i vjetër dhe i amortizuar, por mbetemi me shpresë se këtë dimër do ta kalojmë në kushte shumë më të mira nga ajo siç jemi mësuar.
Portalb.mk: Një ndër kritikat e shpeshta është mungesa e një programi të qëndrueshëm kulturor në Tetovë. A planifikoni të krijoni një kalendar të rregullt kulturor?
Njomza Imeri Ismaili: Shumë çka varet nga buxheti i shtetit në këtë rast edhe të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, meqë në vendin tonë ende nuk është krijuar vetëdija e ndihmës nga sipërmarrësit, që direkt ndikon edhe në ngritjen e cilësisë së programit. Por, në përgjithësi Tetova mund të krenohet, sepse pothuajse në të gjitha veprimtaritë artistike i kemi festivalet ndërkombëtare siç janë ato të muzikës klasike, folklorit, të koreve, këngëve qytetare, filmit, poezisë, festivale për fëmijë dhe kolonive të ndryshme artistike.

Portalb.mk: Sa hapësirë do të kenë artistët e rinj dhe të pavarur në këtë program, dhe a do të ketë thirrje publike për përfshirjen e tyre?
Njomza Imeri Ismaili: Artistët e rinj kanë hapësirë të mjaftueshme në Qendrën e Kulturës, por ne duam edhe më shumë t’i kyçim në këtë drejtim. Bashkëpunimi me Shkollën e Mesme të Muzikës ekziston tash e sa vjet, po ashtu edhe me Shoqëritë kulturore artistike të qytetit, ndërkaq tashmë krijohet një strategji që t’i kyçim edhe shkollat tjera të mesme dhe ato fillore për të realizuar projekte të përbashkëta.
Portalb.mk: Si do të sigurohet që Qendra për Kulturë të përfaqësojë të gjitha komunitetet dhe grupet kulturore të qytetit në mënyrë të barabartë, përfshirë edhe ata që kanë qenë tradicionalisht të margjinalizuar?
Njomza Imeri Ismaili: Qendra e Kulturës në Tetovë mund të mburret me përfaqësimin e të gjitha komuniteteve dhe grupeve kulturore në qytet, në këtë drejtim bashkëpunojmë me shoqëritë kulturore artistike shqiptare, maqedonase, turke, serbe, kroate dhe rome dhe të gjithë kanë hapësirë të mjaftueshme tek ne, për këtë jemi përpjekur maksimalisht që t’u dalim në ndihmë dhe bashkëpunimi mbetet akoma i ngushtë me të gjitha këto grupe. Ka pas raste të përputhjes së terminëve të grupeve të ndryshme, por assesi të margjinalizohet ndonjë grup. Edhe këto probleme kemi arritur t’i zgjidhim bashkërisht. Shpesh ka ndodh që të realizohen dy apo tre aktivitete në një ditë pa penguar njëri-tjetrin por përkundrazi duke ndihmuar njëri-tjetrin.
Portalb.mk: A ekziston një strategji afatgjatë për zhvillimin kulturor të qytetit që e tejkalon vetëm organizimin e ngjarjeve, shembull përmes edukimit kulturor, mbështetjes për artistët lokalë dhe ruajtjes së trashëgimisë?
Njomza Imeri Ismaili: Qendra e Kulturës ka krijuar tashmë strategji edhe afat shkurte edhe afat gjate, mbetet që institucioni të ketë kuadrin e nevojshëm artistik që të mund të realizojë planet. Qendra e kulturës ka dy studio drame një në gjuhen shqipe një në gjuhën maqedonase, ka klubin letrar, ka studion e piktorëve të rinj dhe jemi në përfundim e sipër të bashkëpunimit me një kor fëmijësh. Me krijimin e kuadrove përkatëse mbetet të aktivizojmë edhe sektorët tjerë si studion e baletit, atë të folklorit dhe të veprimtarisë së muzikës klasike. E vetmja problematikë mbetet mospasja e hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e këtyre veprimtarive, ndaj edhe disa punë jemi të detyruar t’i lëmë në pritje derisa të krijohen kushte të volitshme për mbarëvajtje. Deri atëherë ne do të vazhdojmë t’i përkrahim të gjithë që kanë dëshirë të mbajnë aktivitete kulturore tek ne.
Portalb.mk: Si e parashikoni bashkëpunimin me aktorë të tjerë të fushës kulturore, si teatrot, organizatat joformale, kolonitë artistike dhe shkollat e artit në Tetovë?
Njomza Imeri Ismaili: Bashkëpunimi për momentin është i kënaqshëm, por mundet edhe më shumë. Por, siç e theksova më herët janë faktorët tjerë që diktojnë punën tonë. Me krijimin e kushteve gjithsesi se edhe veprimtaria e jonë do shtrihet edhe më shumë.
Portalb.mk: Cili është raporti i Qendrës me institucionet kombëtare të kulturës dhe a ka ndonjë përpjekje për të sjellë projekte apo artistë nga jashtë?
Njomza Imeri Ismaili: Qendra e Kulturës ka bashkëpunim të ngushtë me institucionet e kulturës në qytet, por fatkeqësisht na mungojnë hapat finalë, pra për shkak çështjeve financiare të realizojmë bashkëpunime me institucionet tjera jashtë Tetovës edhe pse disa bashkëpunime janë realizuar me Qendrat nga Gostivari, Kërçova, Kumanova, Koçani, por dëshira është që këto bashkëpunime të thellohen dhe të rriten në të ardhmen. Ndërkaq, bashkëpunime kemi edhe me institucionet kulturore rajonale, me atë që disa herë kemi arritur të jemi pjesëmarrës në festivale të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe ne të jemi nikoqir, por besoni se këto projekte kanë kosto të lartë dhe shpeshherë mbeten vetëm dëshira.
Portalb.mk: Kur pritet të përfundojë ndërtimi i objektit të ri të Teatrit të Tetovës, projekt të cilin e udhëheq Qendra për Kulturë?
Njomza Imeri Ismaili: Është çështje që na tangon të gjithëve. Vërtetë është për tu dëshiruar që ky projekt sa më parë të përfundojë, ngase edhe neve si institucion do na lehtësonte nga barra e rëndë që bartim, por dinamikat e punimeve nuk i krijojmë ne, mbetet vetëm t’i qëndrojmë në gjendje gatishmërie të gjitha punëve që ne duhet t’i realizojmë.
Portalb.mk: Në një qytet ku kultura shpesh margjinalizohet në prioritetet publike, si mendoni ta rrisni ndikimin dhe rëndësinë e Qendrës për Kulturë si një hapësirë publike me ndikim në jetën shoqërore të qytetit?
Njomza Imeri Ismaili: Për pushtetin qëndron mendimi se kultura vetëm merr dhe asgjë nuk jep, që është mendim i gabuar, sepse kultura dhe artistët janë ambasadorë të fuqishëm në skenën ndërkombëtare, prandaj duhet t’u jepet mundësia që artistët të shfaqin talentin e tyre dhe kuptohet që këto hapa arrihen me punë dhe përkushtim, por edhe me krijimin e kushteve që ne institucionet kulturore duhet t’ua mundësojmë, që besoj se secili institucion kulturor i mirëpret artistët dhe është në shërbim të tyre. Qendra e kulturës apelon deri tek të rinjtë që të kërkojnë talentin e tyre në art dhe ne do përpiqemi t’i përkrahim në rrugëtimin e tyre. Me mijëra artistë kanë dalë në skenat ndërkombëtare duke nis hapat e parë të tyre mu nga institucioni ynë, me shpresë se ky rrugëtim nuk do të ndalet asnjëherë me çka nesër do të mburremi edhe ne si institucion, edhe qyteti edhe gjithë shteti.