Njëri 19 mijë denarë, tjetri 90 mijë denarë rrogën mesatare në Maqedoninë e Veriut

Rroga mesatare në të gjithë sektorë nuk është e njëjtë. Dallimi ndërmjet sektorit më të paguar dhe atij më pak të paguar është mbi një mijë euro, transmeton Portalb.mk.

Rroga më e lartë mesatare neto është regjistruar në sektorin e programimit kompjuterike (90 848 denarë), ndërsa më e ulët në veprimtaritë e sigurisë dhe të hetimit (19 927). Në sektorin e shërbimeve lidhur me mirëmbajtjen e ndërtesave, mjedisit jetësor dhe natyrën rroga mesatarë është 22 330, ndërsa te veprimtaritë tjera profesionale, shkencore dhe teknike rroga mesatare mujore është 59 368 denarë.

Rroga mesatare neto në Maqedoninë e Veriut në muajin mars është 34 925 denarë, duke shënuar rritje për 3.6 përqind në krahasim me shkurtin, ndërsa 12.4 përqind në krahasim me marsin e vitit të kaluar.

Ndryshe, rrogë për 78 përqind më të lartë ka marrë për muajin prill ministri i financave Fatmir Besimi. Ai këtë e konfirmoi në një takim me gazetarët. Siç tha Besimi, rroga e deritanishme e tij ka qenë 71 145 denarë, ndërsa për muajin e fundit, prillin, ka marrë 125 960 denarë.

Pas kësaj, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi ka llogaritur që rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut do të jetë 600 euro.