Një pasdite magjike në Orashë: Poezi, muzikë dhe trashëgimia e Nicës

Shkruan: Bekim Ramadani

Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica” përfundoi me një sukses të dukshëm, duke mbledhur poetë, krijues dhe dashamirë të poezisë në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese. Ky aktivitet, i cili fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Kalanë e Nicës, për arsye objektive u zhvillua në një hapësirë të mbyllur i njohur si “Restoranti i Halitit”, por megjithëkëtë duke ruajtur shpirtin e lashtë dhe historik të kësaj ngjarjeje.

Pasditja poetike filloi me një material të shkurtër filmik për Kalanë e Nicës, që u shfaq përmes një video projektori. Ky material i dha një fillim të veçantë aktivitetit, duke theksuar rëndësinë historike, kulturore dhe legjendare të kësaj kështjelle të lashtë. Filmi shtjelloi një legjendë interesante që lidhet me Kalanë e Nicës, duke përshkruar këngën e zanave që, sipas tregimeve të vjetra, mbronin dhe ruanin këtë vend të shenjtë. Kalaja e Nicës është një simbol i fuqishëm i identitetit tonë kombëtar dhe dëshmi e lavdive dhe sfidave të së kaluarës sonë. Ajo është si një dru i lashtë me rrënjë shumë të thella që kërkon të ujitet me kujtesën dhe respektin tonë për të kaluarën. Siç ka thënë Marcus Garvey, “Një njeri pa njohuri të historisë, origjinës dhe kulturës së tij është si një pemë pa rrënjë.” Kjo thënie na kujton rëndësinë e ruajtjes dhe njohjes së historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore, të cilën Kalaja e Nicës e përfaqëson në mënyrë të shkëlqyer.

Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani
Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani

Fjalën e rastit e mbajtën ideatorët dhe organizatorët e këtij manifestimi, zotërinjtë Sead Ramadani dhe Qemal Rushiti, të cilët theksuan rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë sonë. Ata përmendën përkushtimin dhe punën e palodhur që ka bërë të mundur realizimin e këtij manifestimi, duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për suksesin e tij.

Pas fjalës së rastit, Besnik Rameti nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prezantoi një referat mbi nevojën e hulumtimeve arkeologjike  e historike, duke sjellë po ashtu edhe dëshmi të panumërta përmes burimesh nga autorë të shumtë për ekzistencën tonë të lashtë në këto hapësira e me këtë edhe për përkatësinë ilire të shumë kështjellave, gjithandej. “Hulumtimi dhe studimi i këtyre monumenteve përmes metodologjive të reja dhe qasjeve të thella shkencore janë esenciale për të ruajtur dhe për të kuptuar më mirë trashëgiminë tonë,” tha ndër të tjera z. Rameti.

Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani
Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani

Më pas, kitaristi dhe këngëtari i talentuar Driton Gashi interpretoi një pikë muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe duke bashkuar muzikën me poezinë në një përvojë të plotë artistike dhe duke bindur të pranishmit se poezia dhe muzika janë dy arte të fuqishme që kanë shoqëruar njerëzimin që nga zanafilla e tij, se ato janë forma të shprehjes që depërtojnë në thellësitë e shpirtit njerëzor, duke krijuar një lidhje të fortë emocionale dhe intelektuale.

Pas performancës muzikore, poetët Menduh Leka, Syhejll Havolli, Xheladin Mjeku dhe Izet Avdyli lexuan poezitë e tyre jashtë konkurrimit, duke pasuruar kështu pasditen me vargje të fuqishme dhe ndjenja të thella. Këto lexime ofruan një mozaik të gjallë të zërave poetikë.

  1. Mehas Alija, kryetar i komunitetit shqiptar mysliman në Zvicër, mbajti një fjalë rasti dhe recitoi një poezi, duke krijuar një lidhje të natyrshme dhe miqësore me audiencën. Fjalët e tij të ngrohta dhe poezia prekëse përçuan mesazhe frymëzimi dhe paqeje.

Pas fjalës së z. Alija, filloi blloku i parë i poetëve në konkurrim: Adem Abdullahu, Hasime Xhaferi dhe Berzat Sadiku. Secili prej tyre solli emocionet e veta në mënyrë unike përmes vargjeve të bukura, duke e bërë këtë pjesë të aktivitetit mjaft të veçantë. Poezia ka qenë gjithmonë një formë e fuqishme e shprehjes njerëzore, një mënyrë për të ndarë ndjenjat, mendimet dhe përvojat më të thella, dhe këta poetë e përçuan këtë fuqi në mënyrë origjinale përmes poezive të tyre.

Një performancë tjetër muzikore nga Driton Gashi ndërpreu përkohësisht leximet poetike, duke ofruar një pushim të këndshëm me tingujt e tij magjepsës.

Në bllokun e dytë të poetëve në konkurrim, Bajramali Selimi, Dibran Demaku dhe Daim Iljazi sollën vargje të mrekullueshme, duke e pasuruar më tej këtë segment të ngjarjes me krijimet e tyre të bukura. Secili prej tyre kontribuoi me poezitë e tij, duke shprehur ndjenja dhe mendime të veçanta që rezonuan thellë me audiencën, duke e pasuruar më tej atmosferën e këtij aktiviteti.

Pas performancës së tretë muzikore nga Driton Gashi, Leonida Rushiti dhe Sead Ramadani lexuan poezi të Irfan Lumës, një adhurues i flaktë i penës dhe fjalës së bukur, dhe Pal Sokolit, ish kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani.

Në fund të manifestimit, komisioni i caktuar nga Këshilli Organizativ, i përbërë nga Pal Sokoli, Hashim Baftiari dhe Irfan Luma, ndau çmimet për poetët më të mirë të “Ora Letrare” në kuadër të manifestimit kulturor “Nica”:

  • Çmimi I: Dibran Demaku për poezinë me titull “Nicë moj e uruar”
  • Çmimi II: Hasime Xhaferi për poezinë me titull “Kush është kjo”
  • Çmimi III: Daim Iljazi për poezinë me titull “Kalaja e Nicës”

Fjala përmbyllëse nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për promovimin e kulturës dhe artit tonë. Një legjendë e vjetër thotë se poezia është dhuratë nga perënditë, një art që zbulon të vërtetën e shpirtit njerëzor dhe që i afron njerëzit më pranë njëri-tjetrit dhe vetë kuptimit të jetës. Kjo është arsyeja pse tubime si këto janë kaq të rëndësishme – ato na kujtojnë fuqinë e fjalës dhe nevojën për të mbështetur dhe promovuar krijimtarinë letrare pareshtur gjatë gjithë jetës. Siç ka thënë Arthur Schopenhauer, “Arti është vërtetim i përjetshëm që jeta nuk mjafton.” Ky citat na kujton se arti dhe kultura janë thelbësore për të mbajtur gjallë shpirtin tonë dhe për të krijuar një trashëgimi që do të vazhdojë të jetojë për brezat e ardhshëm.

Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani
Në fshatin Orashë të Tetovës, manifestimi kulturor “Nica”. Foto nga Bekim Ramadani

Pas kësaj, mysafirët patën mundësinë të shijojnë flinë, një ushqim tradicional shqiptar, dhe të ndajnë përvoja të këndshme mes tyre, duke përmbyllur kështu një pasdite të ngrohtë dhe frymëzuese përplot histori, poezi dhe muzikë.