Një foshnjë dhjetëmuajshe nga Kumanova është helmuar me ilaçe, rasti i dytë brenda dy javësh

Një foshnjë dhjetëmuajshe nga Kumanova u soll dje në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës me simptoma të helmimit nga ilaçet, konfirmoi SPB Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

“Më 28 korrik, rreth orës 11:40 të paradites, SPB Kumanovë mori njoftim se një foshnjë ishte sjellë në spital me shenja të helmimit nga ilaçet. U krye intervistë zyrtare me mjekun dhe prindërit, dhe për rastin u njoftua edhe prokurori publik”, informoi SPB Kumanovë.

Spitali konfirmoi se foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia po punon për të zbardhur plotësisht rastin, i cili është i dyti i një natyre të ngjashme në më pak se dy javë. Më 22 korrik të këtij viti, një fëmijë njëvjeçar nga fshati Hotël, në komunën e Likovës, u shtrua gjithashtu në spital për shkak të helmimit nga ilaçet.