Një burrë hyri në një shtëpi të moshuarish në qytetin kroat Daruvar dhe vrau pesë persona, përfshirë nënën e tij

Pesë persona janë vrarë pasi një burrë hapi zjarr në një shtëpi për të moshuar dhe të pafuqishëm në qytetin kroat Daruvar. Mediat lokale raportojnë se nga incidenti janë lënduar edhe pesë persona të tjerë, por ende nuk dihet shkalla e plagëve të tyre.

Ueb-faqja e “MojPortal” raportoi se një burrë hyri në shtëpi dhe filloi të qëllonte njerëzit, duke vrarë pesë persona në vend. Vrasësi ka ikur, por është kapur menjëherë nga policia.

Informacionet jozyrtare thonë se në shtëpi është vendosur edhe nëna e tij, e cila është një nga viktimat e të shtënave. Gazeta “Jutarnji List” raportoi se sulmuesi ishte një ish-ushtar kroat 51-vjeçar.