Prokuroria Themelore Publike e Shën Nikollës ndërmori urgjentisht të gjitha veprimet për të siguruar prova dhe ngriti akuza kundër një 21-vjeçari për shkaktim të lëndimeve trupore gjatë dhunës në familje, që është vepër penale sipas nenit 130, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe për heqje të paligjshme të lirisë sipas nenit 140, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Më 19 dhe 20 shkurt, në shtëpinë familjare në Shën Nikollë, gjatë kryerjes së dhunës në familje, i pandehuri kufizoi lirinë e lëvizjes dhe lëndoi fizikisht të dashurën e tij shtatzënë.
Ai e ofendoi të dëmtuarën me të cilën jetonin në bashkësi familjare, dhe më pas filloi ta godiste me grushte. Kur vajza humbi ndjenjat nga goditjet, ai e çoi në banjo ku e solli në vetëdije me ujë të ftohtë, pas së cilës filloi ta tërhiqte për flokësh dhe ta godiste përsëri me grushte në kokë dhe trup. E dëmtuara pësoi lëndime të shumta trupore nga goditjet, dhe kur u përpoq të arratisej, i pandehuri i mori telefonin celular dhe e mbylli në dhomën e gjumit, ku e mbajti për 15 orë kundër vullnetit të saj.
Prokurori publik, së bashku me aktakuzën, paraqiti edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin. Ndërkohë, po kryhen verifikime edhe në lidhje me pretendimet dhe dyshimet për akte të tjera abuzimi nga ky person ndaj të njëjtës të dëmtuar, të cilat rrjedhin nga deklarata e saj e dhënë para prokurorit publik.