Në seancën e ardhshme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pritet të propozohet largimi i vendit nga Ballkani i Hapur

Maqedonia e Veriut pritet të largohet nga nisma Ballkani i Hapur, nismë e cila kishte arritur të përfshin në ndonjë formë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, në përjashtim të Republikës së Kosovës. Nismën për dalje nga ky projekt e paralajmëroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me Ballkanin e Hapur, ai sqaroi se kjo ishte më shumë ide e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, si tentativë pajtimi, pra siç tha ai, “një strategji dalje në mënyrë që Serbia të mund të vendos marrëdhënie me Kosovën, duke përfshirë njohjen reciproke”. Sipas tij pas ngjarjeve në Banjskë nuk ka pasur mbledhje ose prezencë tonën në Ballkanin e Hapur.

“Në Ballkanin e Hapur ne nuk kemi marrë pjesë pas Banjskës, sepse ky ishte qëndrimi im atëherë, sepse ishte menjëherë pas ngjarjes. Unë thashë nëse vërtetohet se Beogradi është i përfshirë, atëherë realisht e bën të pamundur, sepse ideja e Ballkanit të Hapur ishte ndryshe. Ishte një ide që të krijohej një mundësi për Serbinë dhe Kosovën që dalëngadalë të fillonin të krijojnë parakushte për njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, si një nga iniciativat krahas bashkëpunimit ekonomik etj. Sigurisht, secili vend theksoi perspektivën e tij. Disa theksuan bashkëpunimin ekonomik, disa theksuan mobilitetin e qytetarëve, disa theksuan pajtimin. Ne, po flas tani si parti politike, nëse mund të them kështu, pamë mundësi pajtimi dhe njohjeje reciproke, sepse kjo ishte ideja e kryeministrit Rama. Megjithatë, kjo me Banjskën vërtet i prishi ato marrëdhënie. Për këtë arsye nuk kam marrë pjesë në ato takime dhe nuk do të marr pjesë”, thotë Osmani, përcjell MIA.

I pyetur për të sqaruar nëse Maqedonia e Veriut është ende anëtare e Ballkanit të Hapur, ai thotë se është qëndrimi i tij që të mos marrë pjesë në takimet e kësaj nisme.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare do të mbahen me 8 maj, ndërsa fushata do të fillojë me 18 prill dhe do të zgjasë deri me 6 maj. Në Listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare janë regjistruar 1.815.350 zgjedhës. Tërheqje nga Ballkani i Hapur ka paralajmëruar edhe kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bashkë me Shqipërinë janë bashkëthemeluese të iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur“, me të cilin synohet të përmirësohet liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. Kosova ka refuzuar që nga fillimi të bëhet pjesë e saj duke theksuar se ekziston nisma “Procesi i Berlinit” dhe se me “Ballkanin e Hapur” fuqizohet Serbia. Përveç Kosovës, edhe Mali i Zi dhe Bosnja nuk janë pjesë e saj. Ky proces u krijua në vitin 2014 si platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shteteve dhe institucioneve anëtare të BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shoqërisë civile dhe bizneseve në rajon.