Nikolloski: Për hekurudhën me Bullgarinë është zgjedhur traseja më e vështirë që të fryhet çmimi

Për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, sikurse me autostradën në Bllacë, është zgjedhur traseja më e vështirë për të fryrë çmimin, thotë zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në një intervistë për të përjavshmen “Fokus”, transmeton Portalb.mk.

I pyetur se pse Qeveria vendosi të ndalojë procesin për këtë projekt, ministri thotë se elementi i parë dhe kyç është kostoja e parashikuar, e cila, shton ai, shkon në 24 milionë euro për kilometër.

“Sa për ilustrim, kostoja e një hekurudhe të shpejtë kudo në Evropë me 200 kilometra në orë është 4 deri në 10 milionë euro, në varësi të terrenit. Këtu, për një hekurudhë që do të ecë me 60 kilometra në orë, është 24 milionë euro. Ngjashëm si me Bllacën, zgjidhet traseja më e vështirë. Nuk e di nëse opinioni e di, por e vetmja mënyrë për të ndërtuar seksionin e tretë është përmes një hekurudhe si në filmat me kauboj. Terreni është aq malor dhe i keq, kështu që materialet dhe punëtorët mund të transportohen vetëm përmes hekurudhës. Kamioni nuk mund të hyjë. Punë e paparë! Pyetja logjike për paraardhësit e mi është pse është projektuar në këtë mënyrë? Pse përkrah një tuneli që përfundon në askund, janë planifikuar 2 tunele nën Kriva Pallankë?”, tha Nikollovski.

Përgjigjja e tij se pse është bërë kështu është fryrja e çmimit dhe se ata si Qeveri nuk janë budallenj të pranojnë një çmim të tillë për një projekt që, thotë ai, ndoshta nuk do të ndërtohet kurrë.

Në formë pyetjeje, ministri deklaron se për projektin aplikuan vetëm kompani joserioze dhe se Bullgaria nuk po bën asgjë.

Sipas Nikollovskit, Qeveria aktuale dëshiron dhe do ta ndërtojë hekurudhën, por më lirë dhe në mënyrë më racionale, duke projektuar një trase të re që do të përkojë me Bullgarinë.

“Nuk e di nëse e keni parë, Bullgaria tha që çmimi tregues nga ana e tyre është 1.2 miliardë euro. Ku do t’i gjejë Bullgaria ato para? Këto janë shumë para për çdo vend. Ne shpenzojmë 560 milionë euro dhe ata shpenzojnë 1.2 miliardë euro për një hekurudhë që do të ecë me 60 kilometra në orë”, tha Nikollovski.

Ai foli edhe për iniciativën për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë në Korridorin 10, përgjatë së cilës, siç thotë ai, zonat ekonomike do të rregulloheshin si blloqe Lego.

“Korridoret më të rëndësishme shkojnë përgjatë Vardarit dhe për ato korridore në histori janë bërë luftëra botërore dhe ballkanike. Tani duhet të jemi të zgjuar dhe ta përdorim atë. Fatmirësisht, ne kemi një autostradë, duhet të ndërtojmë një hekurudhë me shpejtësi të lartë dhe, tekstualisht, si blloqe lego në anën e majtë dhe të djathtë të hekurudhës me shpejtësi të lartë, të rregullojmë zona ekonomike, ku do të ketë fabrika që do të jenë vlerë bazë e shtuar në ekonominë e Maqedonisë, sepse kushdo që prodhon do të dëshirojë që malli të transportohet dhe eksportohet shpejt. Këto mallra do të nisen në 2 porte të mëdha (Selanik dhe Athinë) dhe mund të jenë në Budapest, Vjenë ose Pragë brenda disa orësh me një tren me shpejtësi të lartë”, thotë Nikoloski.

Sipas vlerësimeve të tij optimiste, ndërtimi i një projekti të tillë infrastrukturor do të zgjasë shtatë vjet, nga projektimi deri në ekzekutim.

“Do t’ju them një version optimist. Do të na duhen dy vjet për projektim dhe 5 vite të tjera për ekzekutim, kështu që nëse VMRO-DPMNE e merr mandatin e dytë, do ta përfundojmë deri në fund të mandatit të dytë”, thotë Nikolloski.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i transportit dhe lidhjeve Aleksandar Nikolloski para pak kohësh deklaruan se do të kërkohet ridedikimi i mjeteve për projektin me hekurudhën drejt Bullgarisë, sepse hekurudha përfundon në qorrsokak, pasi pala bullgare nuk ka projekt për vazhdimin e hekurudhës deri në Sofje.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2023 në faqen e internetit të BE-së është publikuar tenderi për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës nga Kumanova deri në kufi me Bullgarinë (Deve Bair), si pjesë e Korridorit 8.

Deri më tani nuk ka asnjë projekt tjetër në Maqedoninë e Veriut që të ketë marrë fonde kaq të mëdha nga BE-ja për zbatimin e tij. Por, së bashku me fondet, vazhdimisht ka kritika nga autoritetet evropiane për shpejtësinë e realizimit të hekurudhës drejt Bullgarisë. Me ardhjen e kryeministrit Hristijan Mickoski, është paraqitur ideja për ridedikimin e këtyre mjeteve për ndërtimin e hekurudhës me Selanikun.