Nikolloski: Do të luftojmë që nga Bechtel&Enka të marrim më shumë kilometra autostradë me të njëjtën shumë të dakorduar financiare

Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski thotë se marrëveshja me “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10-d është klasifikuar si sekret shtetëror, ndërsa për t’u publikuar duhet marrë pëlqimi i të dyja palëve, që e njëjta  të deklasifikohet dhe publiku të mund ta shohë atë, transmeton Portalb.mk.

Nikolloski thotë se është shumë më e rëndësishme se çfarë mund të marrë vendi nga ajo marrëveshje dhe paralajmëroi se beteja kryesore në vitet e ardhshme do të jetë që të marrim më shumë kilometra autostradë se sa është nënshkruar.

“Për sa i përket kësaj marrëveshjeje, opinioni duhet ta dijë se është klasifikuar si sekret shtetëror, gjë që sipas njohurive të mia modeste juridike për këtë çështje, mendoj se nuk është në përputhje me ligjin sepse në Maqedoni është shumë e qartë se çfarë mund të klasifikohet si sekret shtetëror. Unë supozoj se ideja e partnerit nga ana tjetër ishte të nënshkruante një marrëveshje në të cilën detajet e konkursit nuk bëhen të ditura, por kjo është një gjë dhe është krejt tjetër të nënshkruhet një marrëveshje sekret shtetërore që krijonte mjegull rreth marrëveshjes”, tha Nikolloski sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske gjatë vizitës së tij në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup.

Ai tha se tashmë ka pasur një takim me përfaqësuesit e këtij konsorciumi në të cilin ka thënë se kontrata duhet të zbardhet.

Nikolloski në një deklaratë për media tha se është shumë më e rëndësishme që vendi të marrë më shumë kilometra autostradë se sa është nënshkruar.

“Unë mendoj dhe jam i sigurt se mund të marrim më shumë kilometra autostradë se sa është nënshkruar në Marrëveshje, pra më shumë kilometra për të njëjtin kuadër financiar. Kjo do të jetë beteja jonë kryesore në vitet në vijim – të marrim më shumë kilometra autostradë brenda së njëjtës shumë financiare për të cilën është rënë dakord”, tha Nikolloski.

Ai po ashtu shtoi se qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së tashmë kontraktuesit i ka paguar 240 milionë euro për, siç tha ai, fjalë për fjalë asgjë, gjegjësisht për të ashtuquajturat punime përgatitore që nuk i shohim.

“Mendoj se do të jetë një qëndrim armiqësor ndaj buxhetit të Maqedonisë, nëse doni që tani ta ndërpres kontratën dhe ato mjete janë tashmë te kontraktori dhe nuk mund të kthehen. Kontraktori mund të padisë dhe të kërkojë arbitrazh dhe ne ndoshta do të paguajmë edhe më shumë dhe gjysmë miliardë euro do të shkojnë për qytetarët maqedonas dhe nuk do të kemi as një kilometër autostradë. Ajo që mendoj se është qasja e duhur është që të luftojmë me ta, të marrim sa më shumë kilometra autostradë, të ndërtohet sa më shpejt në Maqedoni”, tha Nikoloski.

I pyetur nëse kanë konstatuar ndonjë vepër në këtë projekt, për të cilin fajësojnë pushtetin e atëhershëm, Nikolloski tha se Enti shtetëror për revizion ka raport për këtë çështje që është bërë para se të bëhet ministër dhe tani duhet ta shqyrtojë Prokuroria.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, Goran Markovski, i pyetur për realizimin e kontratës me “Bechtel and Enka”, tha se sipas asaj që është informuar për atë projekt, nuk ka probleme teknike që ndikojnë në dinamikën e zbatimit.

Kontrata për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d ndërmjet Qeverisë dhe konsorciumit amerikano-turk “Bechtel dhe Enka” është nënshkruar më 8 mars 2023. Ajo parasheh ndërtimin e autostradës Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafthanë në Korridorin 8 dhe autostradën Prilep – Manastir në Korridorin 10-d.

Projektet infrastrukturore për të gjitha segmentet, përveç Trebeshnishtë – Strugë – Qafthanë, tashmë janë dorëzuar në njësinë e projektit – Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Janë dorëzuar edhe raporte për shpronësime për Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan, ndërsa priten raporte edhe për Prilep – Manastir.

“Bechtel dhe Enka” deri më tani janë paguar dy këste, prej 117 milionë euro dhe 53 milionë euro, sipas Programit të Financimit të Infrastrukturës Rrugore për projektin e Korridorit 8 dhe Korridorit 10-d për vitin 2023, i cili parashikon një total prej 243 milionë euro për këtë vit.

Për të mundësuar ndërtimin e seksioneve të autostradës nga dy korridoret, Kuvendi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes me “Bechtel dhe Enka”, miratoi ndryshime dhe shtesa në gjithsej pesë ligje.

Më shumë polemika dhe reagime në debatin publik shkaktuan ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Ato përfshijnë një dispozitë që do të mundësojë punë jashtë orarit më të gjatë se tetë orë në javë dhe më shumë se 190 orë në vit në rastet kur bëhet fjalë për çështje me interes kombëtar dhe strategjik për shtetin, pas pëlqimit paraprak me shkrim të punonjësit.

Lidhur me këtë, Gjykata Kushtetuese ngriti një rast për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një pjese të ndryshimeve në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, të cilat i referohen punës jashtë orarit të punëtorëve të angazhuar në ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d, të cilët do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”, pas iniciativave të dorëzuara, njëra prej të cilave ishte nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Polemika ka shkaktuar edhe përzgjedhja e mbikëqyrësit dhe konsulentit për punën e “Bechtel and Enka”, për të cilën Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetime paraprake, si dhe një rast lidhur me Marrëveshja u hap edhe nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).