Nikolloski dhe Karaxhov ranë dakord për takim të ri për të avancuar punën në Korridorin hekurudhor 8

Të mbahet takim i ri në periudhën e ardhshme me qëllim harmonizimin e përbashkët të tekstit të Marrëveshjes me të cilën do të arrihet marrëveshje për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë Maqedoninë dhe Bullgarinë, me qëllim avancimin e punës për zbatimin e Korridorit hekurudhor 8. Kjo u ra dakord në takimin e sotëm midis zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit Aleksandar Nikolloski dhe homologut të tij bullgar Grozdan Karaxhov, i cili u mbajt në kuadër të forumit “Lidhshmëria Globale e Transportit” të mbajtur në Stamboll, transmeton Portalb.mk.

Dy zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Transportit theksuan domosdoshmërinë për ndërtimin dhe modernizimin e korridoreve evropiane të transportit, dhe i vunë theks të veçantë Korridorit hekurudhor dhe rrugor 8, si një parakusht për zhvillimin ekonomik rajonal dhe lehtësimin e transportit dhe tregtisë.

“Duke theksuar çështjen e lidhjes hekurudhore midis dy vendeve, të dy kolegët ranë dakord se ky projekt ka një dimension rajonal, i cili imponon edhe pozicionimin strategjik të Aleancës së NATO-s duke lidhur Detin Adriatik dhe Detin e Zi”, njoftoi ministria e Transportit në një deklaratë.

Nikolloski dhe Karaxhov ranë dakord të dërgojnë ekspertë për të marrë pjesë në takimin mbi Korridorin 8 të organizuar nga Komisioni Evropian në korrik të këtij viti.

Ministri ka shprehur disa herë pritjet e tij që dialogu me Bullgarinë mbi ndërtimin e lidhjes hekurudhore brenda Korridorit 8 do të vazhdojë dhe se Sofja do të tregojë gatishmëri për këtë projekt, siç po bën vendi.

Ndryshe, disa muaj më parë, ministri i Transportit të Maqedonisë, Aleksandar Nikollovski e raportoi Bullgarinë te institucionet dhe bankat evropiane pasi qeveria e atjeshme vendosi të devijojë paratë për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë. Ai i ka dërguar një letër delegacionit evropian, por edhe Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH-it, me të cilat është lidhur një marrëveshje kredie mbi 300 milionë euro për lidhje me fqinjin lindor.

Modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Kështu deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në shkurt të këtij viti, i cili shtoi se krahas kësaj pike, kolegët bullgarë kanë biseduar edhe për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë dy vendet, si dhe për obligimin që duhet të marrë Sofja për ndërtimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në kufirin me shtetin, gjatësia e së cilës do të jetë rreth katër kilometra.