Nga Qendra Klinike në Beograd u liruan dy pacientët e fundit të lënduar në zjarrin në Koçan

Dy pacientët e fundit nga gjithsej 17 që u trajtuan në Qendrën Klinike të Urgjencës në Beograd, dhe që ishin lënduar në zjarrin në Koçan, sot u liruan nga trajtimi spitalor. Bëhet fjalë për dy të rinj, një djalë 23-vjeçar dhe një vajzë 24-vjeçare, të cilët do të vazhdojnë trajtimin e tyre në Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Doktori Milan Stojçiq, drejtues i Klinikës për Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive në Qendrën Klinike, tha se të gjithë 17 pacientët që ishin pranuar më 16 dhe 17 mars të këtij viti janë trajtuar me sukses, ndërsa sot nga spitali në Beograd dalin dy pacientët e fundit të lënduar në zjarrin në Koçan.

“Shpreh falënderim ndaj autoriteteve maqedonase, të cilët ishin në kontakt të përditshëm me ne, si dhe ndaj ambasadorit maqedonas, Nikolla Tupançeski, i cili kujdesej vazhdimisht për gjendjen e pacientëve. Sot po i lirojmë dy pacientët e fundit që i kemi trajtuar në Qendrën e Urgjencës”, tha doktori Stojçiq.
Falënderime për personelin mjekësor në Qendrën Klinike të Urgjencës në Beograd shprehën dy pacientët dhe ambasadori maqedonas në Beograd, Nikola Tupançeski, i cili ishte i pranishëm gjatë lirimit të pacientëve sot.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.