Nga protesta “studentore” deri në apati studentore: Ku është zëri i të rinjve?

Në pyetjen nëse ka gjithnjë e më pak protesta studentore dhe më pak arsye që studentët të dalin, ish-kryetarët e Parlamentit Studentor Universitar (PSU), Aleksandar Nikollovski, Sllavço Temellkovski dhe Eva Cvetkovska kanë pikëpamje të ndryshme për atë nëse protestat studentore po shuhen, por pajtohen se mobilizimi varet nga intensiteti i problemeve konkrete me të cilat përballen studentët, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në disa vitet e fundit publiku ka qenë dëshmitar i disa protestave studentore lidhur me probleme konkrete. Edhe pse pak në numër ato paraqisnin shprehje të revoltës dhe qëndrimit të studentëve, si dhe një mekanizëm për ushtrimin e të drejtave të tyre në momente kur zëri i studentëve nuk dëgjohej në një mënyrë tjetër. Por, edhe vite më vonë studentët përballen me të njëjtat ose me probleme të reja, ndërsa lëvizjet protestuese gradualisht po zhduken nga hapësira publike.

Protesta pa masë studentore: përpjekje për mobilizim apo manipulim?

Si më aktuale, e një jave më parë, ishte protesta e paralajmëruar “studentore” kundër tatimit të parave të cilat studentët i kanë fituar përmes Work&Travel në Gjermani. Arsyeja ishte se Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) pa paralajmërim kërkoi nga studentët që të paguanin tatim me pretekstin se po ndjekin akte ligjore që ishin në fuqi nga më parë. Ligjet që kishin ekzistuar prej vitesh për herë të parë funksionuan këtë vit për studentët, ndërsa përveç kësaj, sipas udhëzimeve të paqarta të DAP-it, ende nuk dihet nëse tatimi do të paguhet vetëm për vitin 2025, apo edhe për vitet e tjera kur studentët kanë bërë punë sezonale jashtë vendit.

Por, në protestën që u mbajt më 15 prill në një turmë prej rreth 30 personash morën pjesë vetëm dy studentë. Të tjerët, ish-punonjës të misioneve në Afganistan dhe Irak, protestuan për qëllimin e tyre konkret, i cili nuk ka të bëjë me atë të studentëve.

Për protestën, e cila u organizua përmes një grupi në Viber, nuk ishte e qartë se kush ishte iniciatori dhe organizatori i protestës, ndërsa në grup shkruanin edhe ish-punonjës të misioneve. Në fakt protesta studentore nuk ishte studentore, por një përpjekje për t’i manipuluar studentët, të dalin në një protestë që u mor nga një grup tjetër i qytetarëve për një qëllim tjetër.

A po bëhen protestat studentore pjesë e historisë?

Në pyetjen nëse ka gjithnjë e më pak protesta studentore dhe më pak arsye që studentët të dalin, ish-kryetarët e Parlamentit Studentor Universitar (PSU), Aleksandar Nikollovski, Sllavço Temellkovski dhe Eva Cvetkovska kanë pikëpamje të ndryshme për atë nëse protestat studentore po shuhen, por pajtohen se mobilizimi varet nga intensiteti i problemeve konkrete me të cilat përballen studentët.

Aleksandar Nikollovski. Foto: Meta.mk
Aleksandar Nikollovski. Foto: Meta.mk

Nikollovski është i mendimit se protestat nuk po shuhen, por se për momentin nuk ka shkas mjaftueshëm të fortë për mobilizim masiv.

“Mendoj se nëse, për shembull, pagesa për vaktet studentore nuk rritet në përputhje me inflacionin këtë vit, studentët do të kenë një arsye për të protestuar, si dhe nëse konviktet studentore nuk hapen në kohë, siç është njoftuar për këtë vjeshtë. Nuk besoj se protestat po shuhen, por masë e mjaftueshme për protestë krijohet në rast të një problemi të pazgjidhshëm”, thotë ai.

Cvetkovska vlerëson se aktivitetet e sotme studentore janë dukshëm më pak të theksuara krahasuar me periudhën e Plenumit Studentor, por thekson se nuk është realiste që protestat të jenë të vazhdueshme.

“Nuk do të ishte e shëndetshme të ketë protesta shumë të shpeshta, por për fat të keq studentët e kanë të vështirë të bashkohen masivisht për çështje që i prekin drejtpërdrejt”, thekson ajo.

Nga ana tjetër, Temellkovski thekson se çdo veprim i organizuar për përmirësimin e gjendjes është i domosdoshëm dhe se mungesa e tij mund të krijojë një ndjenjë të rreme se nuk ka probleme.

“Në mungesë të një organizimi të tillë dhe një kërkese për përmirësimin e një gjendjeje shumë lehtë biem në kurthin që do të thotë se për momentin gjithçka është perfekt. Kjo është shkatërruese para së gjithash për një individ, një familje, ndërsa pastaj për një komunitet të tërë”, thotë Temellkovski.

A ka masë kritike të studentëve për protestë?

Në pyetjen nëse pas pjesëmarrjes më të ulët në protestën për tatimet ka një masë kritike tek studentët për një protestë autentike dhe nga ku do duhej të vinte iniciativa, udhëheqësit e mëparshëm të studentëve folën për aspekte të ndryshme.

Sipas Nikollovskit, që të ndërtohet një shoqëri me qëndrim, aktivizmi duhet të fillohet të ushqehet që në moshë të vogël.

“Aktivizmi duhet të ndërtohet që në arsimin fillor. Nëse duam një shoqëri me qëndrim, për shtetin duhet të mendojmë në mënyrë strategjike, jo në partiake”, thekson ai.

Cvetkovska është e mendimit se apatia dhe mosbesimi i ndërsjellë tek të rinjtë po e ngushtojnë hapësirën për veprim, si dhe faktin se nuk ka hapësira për shoqërim kolektiv ku të rinjtë do t’i shkëmbenin qëndrimet dhe problemet e tyre me qëllim bashkimin.

Eva Cvetkovska| Foto: Meta.mk
Eva Cvetkovska| Foto: Meta.mk

“Mendimi se asgjë nuk do të ndryshojë, frika (ose paranoja) se protestat në përgjithësi organizohen nga disa forca politike që përfitojnë nga kjo gjë, në vend që të kenë besim tek vetja si një forcë që duhet të nxisë ndryshime, si dhe mungesa e solidaritetit janë disa faktorët kryesorë që e dekurajojnë dhe dobësojnë kapacitetin e studentëve për t’u bashkuar dhe për të protestuar”, thekson ajo.

Temellkovski thotë se kushdo që beson se i janë shkelur të drejtat ka mundësinë t’i kërkojë ato përmes formave të ndryshme të organizimit, por shton se nëse njerëzit nuk dalin në rrugë, nuk mund të konkludohet se ka pakënaqësi.

“Të drejtat nuk kërkohen në internet, ato kërkohen me argumente, debat dhe qëndrime”, thotë ai, dhe shton se i vjen veçanërisht keq që nuk u realizua ideja që marshimi i studentëve që u mbajt më 17 nëntor të bëhet traditë.

“Marshimi nuk është protestë dhe nuk duhet të shihet si një veprim politik, por si një mundësi që studentët së bashku t’i shprehin pikëpamjet e tyre”, thekson Temellkovski.

A respektohet mjaftueshëm zëri i studentëve në institucione dhe media?

Nikollovski vlerëson se dukshmëria e kërkesave të studentëve varet nga aktiviteti i tyre, duke theksuar se për momentin mungon një aktivizëm më i gjerë studentor.

“Edhe vetë studentët duhet të aktivizohen, jo vetëm përfaqësuesit në organizatat studentore. Duhet të ketë reagime, qëndrime dhe kërkesa publike dhe ato duhet të jenë më të zëshme”, thotë ai.

Sipas tij, në momentin aktual është e nevojshme të dëgjohen qëndrime nga studentët, sidomos në lidhje me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë. Ai shton se nevojiten edhe reagime më të qarta publike nga përfaqësuesit në Trupin Kombëtar Studentor dhe Parlamentet Studentore Universitare, sidomos duke pasur parasysh se ky organ nuk njihet ligjërisht në zgjidhjen e re ligjore.

Nga përvoja e saj si udhëheqëse e studentëve Cvetkovska vlerëson se zëri i studentëve shpesh njihet vetëm formalisht, pa ndonjë ndikim të konsiderueshëm në vendime.

“Qëndrimet e studentëve zakonisht merren në mënyrë deklarative, ndërsa rrallë përfshihen në proceset e vendimmarrjes”, thotë ajo.

Temellkovski është i mendimit se temat për studentët janë të pranishme në publik, por mungon një dukshmëri më e madhe e sukseseve të tyre.

“Ka vend për theksim më të madh të sukseseve të studentëve, që nga punimet shkencore të publikuara e deri te sukseset sportive, startup-et dhe bizneset e krijuara nga të rinjtë. Kjo është e rëndësishme për ta përforcuar pozicionin e tyre dhe rëndësinë e fjalës student në shoqëri”, thotë ai, dhe propozon që mediat​​ çdo ditë t’i kushtojnë më shumë hapësirë përmbajtjeve të tilla.

A janë sot studentët në pozitë më të mirë se sa më parë?

Nikollovski vlerëson se proceset që lidhen me përmirësimin e pozitës së studentëve ende po zhvillohen ngadalë, edhe pse ka më shumë zgjidhje ligjore që janë në përgatitje e sipër ose që janë në pritje për miratim.

“Proceset janë ende në vazhdim, për fat të keq janë të ngadalta. Për shembull, duhet të miratohen Ligji për Arsimin e Lartë, Ligji për Standardin e Studentëve, Ligji për Punën e Studentëve. Institucionet janë disi të ngadalta në përmbushjen e kërkesave të studentëve”, thotë ai.

Sipas tij problemi është se fokusi institucional shpesh zhvendoset tek proceset politike, në vend se tek realizimi i kërkesave të studentëve, dhe shton se ” fokus më të madh ka te zgjedhjet, te interesi i partisë, sesa te shteti”.

Cvetkovska është e mendimit se nuk sheh përparim të ndjeshëm sa i përket pozitës së studentëve në krahasim me vitet e kaluara.

“Mendoj se nuk ka ndonjë përparim të madh, por ndoshta edhe nuk po e ndjek mjaftueshëm”, thotë ajo.

Sllavço Temellkovski | Foto: Meta.mk
Sllavço Temellkovski | Foto: Meta.mk

Temellkovski thotë se nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në proceset aktuale studentore që të mund të japë një vlerësim konkret, por thekson se gjatë periudhës së tij u zbatuan një sërë masash që, siç thotë ai, edhe sot kontribuojnë në aktivizmin studentor.

“U prezantuan bileta falas për TPM, zbritje për në opera dhe balet, u hap QKS, organizuam edhe mbrëmje studentore të poezisë, si dhe bashkëpunime me institucione dhe organizata që edhe sot punojnë me studentët. Vend për përparim ka gjithmonë, ndërsa ajo që është më e rëndësishme është përforcimi i rolit të studentit në shoqëri”, thotë Temelkovski.

Storja u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.