Vetura goditi këmbësorin dhe e la me lëndime të rënda, tre orë më herët rinia e Dobroshtit paralajmëroi për rrezikun në rrugë

Këmbësori 42 vjeçar mbrëmë u godit nga vetura në rrugën Tetovë – Jazhincë në fshatin Dobrosht dhe si pasojë pësoi lëndime të rënda trupore. Paraprakisht, Forumi Rinor i fshatit Dobrosht përmes një reagimi paralajmëroi se me hapjen e një marketi të ri përgjatë rrugës dhe parkimit të veturave vend e pavend jashtë hapësirave të caktuara për parking, mund të vijë deri te aksidentet dhe ndonjë fatkeqësi, shkruan Portalb.mk.

Mbrëmjen e djeshme, Portalb.mk kaloi në vend ngjarje ku kishte ndodhur aksidenti të cilin sot e konfirmoi edhe Policia.

“Dje mbrëma (13-dhjetor) në ora 21:50 në SPB-Tetovë është raportuar se në rrugën rajonale Jazhincë – Tetovë, në Dobroshtë të Tetovës, vetura ,,Audi” me targa të Tetovës e drejtuar nga 60-vjeçari G.B. nga Strimnica e Tetovës ka goditur këmbësorin S.R.(42) nga Dobroshti i Tetovës. Në aksident këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Spitalin klinik të Tetovës. Kontroll e ka kryer ekipi i SPB-Tetovë”, informoi Policia.

Dje, tre orë para se të ndodhte aksidenti, Forumi Rinor Dobrosht apeloi deri te Kompania “Kipper” që stacioni i autobusëve mos të shfrytëzohet si parking për punëtorët dhe klientët e marketit i cili u hap dje, për arsye se mund të vinte deri te ndonjë fatkeqësi që ndokush ta paguaj me jetë apo ndonjë aksident i tmerrshëm.

“Sot Forumi Rinor ishte te përgjegjësi i Kipperit që të largohen veturat nga stacioni sepse rrezikon çdo njeri që kyçet në rrugën kryesore, përgjigja e tyre ishte se do ti largojnë, por ajo kërkesë e jona u mor me vesh të shurdhur nga përgjegjësi i Kipperit. Përkundrazi nuk jemi kundër askujt, por jemi kundër ndonjë tragjedie. Dhe ju bëjmë me dije pronarëve që të marrin masa të shpejta se përndryshe gjërat do të radikalizohen”, informuan nga Forumi Rinor Dobrosht.

Portalb.mk kontaktoi kompaninë Kipper për këtë kërkesë, por deri në publikimin e këtij teksti nga atje nuk na u përgjigjën.