Nesër afati i dytë për regjistrim në shkolla të mesme, të lira 11.882 vende
Nxënësit që nuk arritën të regjistrohen në shkollat e mesme në afatin e parë të regjistrimit për vitin shkollor 2026/2027 do të kenë mundësi të re për regjistrim më 23 qershor, transmeton Portalb.mk.
Siç njofton Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), dokumentacioni i nevojshëm duhet të dorëzohet në shkolla më 24 qershor, ndërsa rezultatet e regjistrimit do të publikohen më 25 qershor deri në orën 12:00, përmes tabelave të shpalljeve dhe faqeve të internetit të shkollave.
Në rast se në shkolla të caktuara ka kandidatë me numër të njëjtë pikësh, do të organizohet testim kualifikues. Për afatin e dytë të qershorit, testimi është caktuar për më 29 qershor, ndërsa listat përfundimtare të renditjes do të publikohen po atë ditë.
Sipas të dhënave të MASH-it, në shkollat e mesme në mbarë vendin kanë mbetur të lira gjithsej 11.882 vende.
Prej tyre, 7.404 vende janë të parapara për mësim në gjuhën maqedonase, 4.002 vende për mësim në gjuhën shqipe, 456 vende për mësim në gjuhën turke dhe 20 vende për mësim në gjuhën serbe.