Nesër në Shkup do të shfaqet filmi shqiptar “Parullat”, nën regji të Gjergj Xhuvanit

Nesër (27 qershor), me fillim nga ora 20:00, te Kinoteka e Shkupit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, në bashkëpunim me Institutin Francez në Shkup, do të shfaqë filmin shqiptar “Parullat”, me regji të Gjergj Xhuvanit, shkruan Portalb.mk.

I frymëzuar nga një histori e vërtetë, “Parullat” zhvillohet në një fshat shqiptar në vitet 1980, në kulmin e komunizmit. Historia fokusohet te profesori Andrea, një mësues në shkollën e fshatit, i cili refuzon t’i bindet urdhrave të regjimit që detyronin nxënësit të shkruanin parulla lavdëruese për qeverinë me gurë në shpatin e kodrës. Kundërshtimi i tij sjell transferimin dhe më pas arrestimin.

Përmes një qasjeje që përzien ironinë, humorin dhe kritikën sociale, filmi paraqet një portret prekës të një epoke të shënuar nga absurditeti ideologjik.

Filmi i Gjergj Xhuvanit është nderuar në disa festivale ndërkombëtare dhe konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të karrierës së tij, i vlerësuar për thellësinë dhe simbolikën që mbart. Është krahasuar me disa prej komedive sociale të Fellinit dhe është përmendur gjithashtu për çmimet Oscar dhe Golden Globe.

Në shfaqje luajnë aktorët: Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Niko Kanxheri, Robert Ndrenika dhe Rita Lati.

Prodhimi: Les Films des Tournelles, Vision Générale Albanaise, Rossy Films, Les Films en Hiver.