Në zjarrin në Veles janë shkrumbuar 50 hektarë bar i thatë, pyll me kërcell të ulët, bagrem dhe pisha

50 hektarë bar i thatë, pyll me kërcell të ulët, bagrem dhe pisha janë djegur në zjarrin e djeshëm mbi fshatin Otovicë në afërsi të Liqenit Mlladost në Veles, transmeton Portalb.mk.

Nga Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave (QKMK) Veles thonë se në një moment ka pasur rrezik për shtëpitë në fshat, por përhapja e zjarrit është parandaluar falë ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimit të përbashkët të të gjitha institucioneve kompetente.

Aktualisht nuk dihen shkaqet e zjarrit, i cili filloi dje rreth orës 13:00. Ato duhet të zbulohen nga hetimi i Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Veles.

Autoritetet dyshojnë se shkaku i zjarrit ka qenë një fishekzjarr i hedhur në autostradën Veles-Shkup, siç ishte rasti i zjarrit të fundit në të njëjtin lokacion më 31 korrik të këtij viti. Por, atëherë zjarri ishte më i vogël, u shua më shpejtë dhe kishte më pak dëme. Nga policia thonë se është e vështirë për ta gjetur shkaktarin e zjarrit.