Në vend se të përgjigjej e nënçmoi gazetarin: AShMAA, ShGM dhe SPGPM reaguan ndaj guvernatorit Sllaveski (VIDEO)
Lidhur me reagimin e Guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slaveski, ndaj një pyetjeje gazetareske të bërë nga një gazetar në TV Kanal 5 gjatë një eventi publik të dedikuar për mediat, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale thekson se në komunikimin me mediat, respektimi i standardeve profesionale është i domosdoshëm, transmeton Portalb.mk.
Ata shtojnë se pyetjet gazetareske janë pjesë integrale e procesit demokratik dhe nuk duhet të trajtohen si sulm, as gazetarët nuk mund të diskreditohen për kryerjen e detyrave të tyre profesionale.
“Mbajtësit e funksioneve publike kanë detyrim të demonstrojnë nivel të lartë kulture politike, përgjegjësie dhe profesionalizmi, duke kontribuar kështu në forcimin e besimit të qytetarëve dhe mediave në institucione. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh rolin e tyre në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut”, thonë nga AShMAA.
Agjencia u bën thirrje të gjithë zyrtarëve publikë të tregojnë respektin e duhur për profesionistët e mediave dhe të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar kushte për kryerjen dinjitoze, të lirë dhe të papenguar të punës së tyre.
Për rastin dje reagoi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) ashpër ndaj qëndrimit të Guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, ndaj gazetarit të TV Kanal 5, i cili në ngjarjen e djeshme publike të dedikuar për mediat, në vend të përgjigjeve të qarta për pyetje me interes të lartë publik, zgjodhi qëndrim përçmues dhe skualifikues ndaj gazetarëve.
Në përgjigje të pyetjeve të drejtpërdrejta gazetareske, Sllaveski deklaroi se çështja ishte “e shfajësuar”, dhe më pas i tha gazetarit nga Kanal 5: “Në rregull, bisedoni me redaktorin tuaj për këtë dhe pyeteni se cilat janë motivet e këtij sulmi ndaj Bankës Qendrore”.
Për SHGM dhe SPGPM, një sjellje e tillë është e papranueshme për një mbajtës të një funksioni të lartë publik.
“Gazetarët nuk janë të detyruar të durojnë nënçmimin, insinuatat dhe hedhje të fajit vetëm sepse bëjnë pyetje të pakëndshme, por legjitime në interes të publikut. Në vend të argumenteve dhe përgjegjësisë, publiku pa një përpjekje për t’i paraqitur pyetjet gazetareske si sulm dhe për të diskredituar gazetarët para kamerave. Çdo përpjekje për të diskredituar gazetarët ose për të vënë në pikëpyetje motivet e tyre dërgon një mesazh të keq për të gjithë komunitetin mediatik dhe publikun. I bëjmë thirrje Guvernatorit Sllaveski, si dhe të gjithë bartësve të funksioneve publike, që të përmbahen nga skualifikimi, nënçmimi dhe etiketimi i mediave, dhe në vend të kësaj të tregojnë respekt, transparencë dhe përgjegjësi në komunikimin me gazetarët”, thanë nga SHGM dhe SPGPM.