Sindikata e Kulturës alarmon për gjendjen në Teatrin e Gostivarit: Të punësuarit përballen me kërcënime dhe presione
Sindikata e Kulturës e RMV-së thotë se ka marrë informacione seriozisht shqetësuese për gjendjen në Teatrin e Gostivarit pas marrjes së tetë vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Sipas tyre të punësuarit në institucion janë të ekspozuar ndaj presioneve të forta dhe u imponohet ndjenja e fajit, sikur ata të jenë përgjegjës për detyrimet financiare që burojnë nga procedurat gjyqësore. Për më tepër, ata kërcënohen se për shkak të tyre teatri mund të mbyllet dhe se mund të mbeten pa punë, transmeton Portalb.mk.
“Njëkohësisht, të punësuarve nuk u dorëzohet programi i punës, me arsyetimin se mjetet nga programi do të ridestinohen për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore. SKRM tashmë një vit të tërë ka paralajmëruar publikisht për pasojat që do të ndodhin nëse ministri i kulturës nuk e pranon gabimin në përllogaritjen e pagave në kulturë. Të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo gjendje janë rezultat i drejtpërdrejtë i udhëzimeve të tilla të paligjshme dhe i qasjes së papërgjegjshme”, thuhet në reagimin e SKRM-së.
Sindikata nënvizon se të punësuarit në kulturë nuk bëjnë asgjë më shumë përveçse ushtrojnë të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë – përmes procedurave gjyqësore të realizojnë atë që u takon dhe që u është mohuar me akte dhe udhëzime të paligjshme të miratuara nga organet kompetente. Përgjegjësinë, thuhet më tej, për pasojat duhet ta mbajë ai që i ka marrë këto vendime.
“Nëse vazhdojnë presionet ndaj të punësuarve, SKRM do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për mbrojtjen e tyre. Personi që ushtron presion do të bëhet publik dhe ndaj tij do të iniciohen procedura përkatëse. Në fund, dërgojmë një mesazh të qartë për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Teatrit të Gostivarit: Vendimet gjyqësore të formës së prerë duhet të respektohen dhe të zbatohen. Pagat e të punësuarve duhet të llogariten në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet kolektive, plotësisht siç është përcaktuar në vendimet gjyqësore. Mosrespektimi i një vendimi gjyqësor përbën vepër penale”, thonë nga SKRM.