MPJ: 20 qytetar të RMV-së janë larguar nga Izraeli, mbi 100 të tjerë duan të largohen

Nëpërmjet kanaleve të ndryshme të transportit, gjatë ditës së djeshme 20 qytetarë tanë janë larguar nga Izraeli, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar që duan të largohen ka kaluar mbi 100, njoftoi MPJ. Për momentin shumica e këtyre shtetasve ndodhen në lokacione që konsiderohen të sigurta, ndërsa rreth njëzet prej tyre tashmë kanë siguruar bileta për disa nga fluturimet komerciale të rregullta ose çarter që janë në dispozicion, transmeton Portalb.mk.

“Disa qytetarë, në pikat tona të kontaktit, raportuan se ndodhen në pjesët e vendit që janë prekur nga veprimet e dhunshme dhe konsiderohen të pasigurta; ambasada jonë në Tel Aviv, si dhe qendra e kontaktit në Shkup, janë në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe po punohet në mënyrë aktive për të siguruar transferimin e tyre në një vend të sigurt, nga ku mund të dërgohen drejt shtëpisë”, thonë nga MPJ.

Ministria e Punëve të Jashtme ka përgatitur analizë dhe projeksion të detajuar të të gjitha mundësive që do t’ia paraqesë Qeverisë, e cila më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.

Siç kemi raportuar më parë, sipas vlerësimeve të shtabit të krizës, vlerësohet se në territorin e Izraelit dhe në zonat e kërcënuara banojnë nga 100 deri në 200 qytetarë tanë, nga të cilët më shumë se gjysma janë hartuar saktësisht dhe kontakti me ta mbahet rregullisht.

Për më shumë informacione janë në dispozicion linjat telefonike SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme 075/273-732 dhe 075/268-736, si dhe linja telefonike e Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378.

Informacione më të hollësishme rreth situatës aktuale mund të gjenden në faqen në vijim: https://www.oref.org.il/12481-en/Pakar.aspx

“Edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve tanë që aktualisht ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e organeve të sigurisë së Izraelit, si dhe të paraqiten në ambasadën në Tel Aviv ose në telefonat kujdestarë në Shkup”, thonë nga MPJ.

Ndërkohë në një deklaratë për media kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se disa nga qytetarët tanë që ishin në Izrael tashmë janë kthyer në shtëpi. Kontaktet me qytetarët tanë të tjerë që ndodhen atje vazhdojnë.

“Ka qenë një natë e vështirë pa gjumë për të gjithë në Ambasadën në Tel Aviv, sehtabin e krizës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për mua. Kabineti im po kontakton me vendet fqinje dhe vendet e tjera partnere që kanë linja ajrore që mund të ulen në aeroportet në Izrael ose në vendet përreth”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se një pjesë e qytetarëve që ndodheshin në Izrael janë transportuar me avion nëpërmjet Tel Avivit për në Shqipëri, ndërsa një pjesë tjetër kanë arritur të dalin nga Betlehemi për në Jordani.

“Kemi një pjesë të qytetarëve që janë lokalizuar, janë rreth 50, por edhe disa që është rënë në kontakt dhe po punojmë për këtë tani. Po punohet për nxjerrjen e tyre nga Izraeli dhe kthimin e sigurt në shtëpi. Deri më tani kemi vendosur kontakte me 50 qytetarë tanë, por numri është në rritje sepse aty ka edhe studentë, por edhe punëtorë ndërtimi që punojnë atje”, shtoi Kovaçevski.

Kryeministri shtoi se Ambasada në Tel Aviv po punon 24 orë për të vendosur kontakte me qytetarët dhe thotë se do të bëhet gjithçka e nevojshme që çdo qytetar të jetë i sigurt dhe të mund të kthehet.