Në Tetovë u mbajt ora letrare “Ngjyra e emocione në vargje poetike, poet evropian dhe shqiptar”
Sadije Aliti, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, në fjalën përshëndetëse theksoi se ky është një aktivitet letrar që është hartuar dhe organizuar nga departamenti i krijuesve të rinj, janë përzgjedhur poetë evropianë dhe shqiptarë që kanë lënë gjurmë e vlera në krijimtarinë poetike pa mos shënuar një epokë të caktuar se kur kanë jetuar e krijuar, me të vetmen ide që të afrohen brezat krijues si urë lidhëse e së nesërmes.

Qëllimi i këtij manifestimi është të krijojë një bashkëpunim ndërlidhës mes traditës poetike evropiane dhe shqiptare, duke sjellë përmes zërit të të rinjve një mozaik emocionesh, reflektimesh dhe frymëzimi, të nxisë kreativitetin dhe shprehjen artistike të të rinjve. Poezitë e përzgjedhura nga autorë evropianë dhe shqiptarë u deklamuan nga krijuesit e rinj, ndërsa pjesa e dytë e aktivitetit nxori në skenë krijuesit tetovar me vargjet e tyre, ata krijues që ishin të pranishëm në aktivitet. Ky aktivitet letrar u koordinua nga krijueset e reja tetovare Merita Isaki dhe Azra Alija. Pikë muzikore me flautë luajti Merita Emurllai, e cila edhe e moderoi këtë aktivitet dhe në kitarë Donjeta Rexha.
Të gjithë pjesëmarrësit shijuan krijimet më të bukura të përzgjedhura, zbuluan botën e brendshme, duke interpretuar emocionet e ndryshme përmes gjuhës së artit me një mundësi të shkëlqyer për të ndarë perspektivat unike dhe për të festuar diversitetin e shprehjes.
