Në Teatrin Shqiptar në Shkup sonte dhe nesër jepet premiera e shfaqjes “Anglia”

Sot (25 dhjetor) dhe nesër (26 dhjetor) në Teatrin Shqiptar në Shkup, me fillim nga ora 20:00, jepet premiera e veprës “Leximi i “Anglisë” në Maqedoninë e Veriut nga Irani”, nga autori bashkëkohor anglez Tim Crouch, e punuar nga regjisorja nga Irani, Nasim Ahmadpour dhe me asistent regjie Agim Abdula. Në këtë shfaqje flitet për problematikën e migracionit mirëpo në një formë shumë të veçantë të shprehjes dhe të lojës teatrale, transmeton Poratlb.mk.

Asistenti i regjisë Agim Abdula për Poratlb.mk tha se falë një bashkëpunim fantastik me ekipin, energjinë dhe vullnetin me Teatrin Shqiptar, do sjellin diçka të mirë për publikun shqiptar.

“Kjo është një vepër shumë bashkëkohore dhe zakonisht ky autor veprat e tij i shkruan që të realizohen nëpër galeri dhe jo për skena teatri. Kjo është hera e parë që ne e kemi transferuar dhe e kemi bërë për një skenë bleck box teatër. Në këtë vepër flitet për shumë aspekte, të jetës bashkëkohore, për shumë problematika dhe një farë forme autori ka këndvështrim kritik ndaj shumë fenomeneve, një prej tyre është migracioni dhe ajo që ndodh me emigrantët nëpër botë. Vepra konkretisht merret me problematikën e emigrantëve, nga Lindja e Mesme në Angli sepse autori jeton atje dhe e njeh këtë problematik. Por gjithashtu është kritikë e shumë fenomeneve, barrierave aktuale në botë, të njëjtën kohë edhe të shumë klisheve, të cilat ne i kemi krijuar në imagjinatën tonë, të cilat në realitet mund të mos jenë në atë formë”, tha Abdula.

Ai shtoi se do kenë dy premiera në Teatrin Shqiptar këtë vit, nuk do të kenë ndonjë reprizë, beson që vet Teatri Shqiptar ka plane se kur do e vendos në skenë, beson që gjatë vitit të ardhshëm disa herë do jetë në raportuar.

Regjisorja Nasim Ahmadpour ka shkruar se provat për shfaqjen “Anglia” filluan gjatë krizës së Lindjes së Mesme.

“Fluturimet u anuluan dhe prania ime në Maqedoni ishte praktikisht e pamundur. Kishim dy mundësi: ose duhej të ndalonim provat ose, në dobi të projektit, ta konsideronim situatën si pjesë të procesit tonë të punës. Mbështetja dhe pjesëmarrja e Teatrit Shqiptar dhe e anëtarëve të dashur të trupës teatrore i hapi rrugën opsionit të dytë. Nën ndikimin e eksperiencës gjatë provave, emri i shfaqjes u ndryshua në “Leximi i “Anglisë” në Maqedoninë e Veriut nga Irani”. Jemi me fat që “Anglia” ka të bëjë me artin dhe marrëdhëniet, dhe mënyrën se si bashkëveprojmë me të gjitha dallimet në gjuhë, origjinë, sferat kulturore, etj. Tani mendoj se procesi i provave dhe realizimi i kësaj shfaqje që në fillim duhej të ishte kështu, dhe kjo është magjia e teatrit, një fuqi që asgjë – absolutisht asgjë – nuk mund ta ndalojë”, ka shtuar Ahmadpour.

Për të gjithë artdashësit vepra do të ketë përkthim në gjuhën shqipe.

Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës së RMV-së.