Në Shkup, Manastir dhe Shtip, përveç se në shkolla, matura do të mbahet edhe në hapësirat e universiteteve
Shkollat e mesme në Shtip tashmë e dinë se ku do ta japin maturantët e tyre provimin e maturës shtetërore, përkatësisht në cilat salla dhe amfiteatro në Universitetin “Goce Dellçev”, tha sot Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila po përgjigjej në një pyetje në lidhje me përgatitjen për dhënien e provimit të maturës shtetërore, transmeton Portalb.mk.
“Kampusi 4 është caktuar për qendrën rajonale dhe gjimnazin, ndërsa Kampusi 2 shkollat e mbetura. Të gjitha shkollat nga Shtipi që thanë se u duhej hapësirë e mjaftueshme do të vendosen në amfiteatrot e UGD-së, kështu që falënderoj edhe rektorin për mirëkuptimin e tij dhe dekanët, natyrisht, për mirëkuptimin e kësaj nevoje”, theksoi Janevska.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës shtoi se aktualisht po sigurohen kushtet për dhënien e provimit, pasi duhet të ketë një distancë prej një metri e gjysmë midis maturantëve.
“Do të përdorim universitetet në Shtip, Manastir dhe Shkup. Materialet janë duke u përgatitur, telefonat celularë nuk do të përdoren, përkatësisht testuesit do të jenë përgjegjës për t’u siguruar që studentët t’i lënë telefonat e tyre celularë në një vend të përshtatshëm në sallën ku do të zhvillohet provimo”, tha Janevska.
Ajo bëri thirrje për ndërgjegjësim tek nxënësit, prindërit dhe mësuesit dhe që të mos lejohet kopjimi i provimit të maturës shtetërore, pasi kjo bën dëm, jo mirë.
“Arsimi ynë është në një nivel të ulët, madje edhe me cilësi të dobët, dhe ne duhet ta përmirësojmë atë. E ardhmja e Maqedonisë qëndron te mendjet e zgjuara që ka, vetëm duhet t’i motivojmë që të fillojnë të punojnë me veten sa më shumë që të jetë e mundur. Sepse nesër e ardhmja e tyre varet nga vetë ata”, thotë Janevska.
E pyetur në lidhje me indekset elektronike për studentët, Janevska u përgjigj se Universiteti Goce Delçev në Shtip e ka përfunduar tashmë këtë proces, dhe se disa fakultete në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup i kanë ato dhe se procedura është duke u zhvilluar për të përfunduar këtë proces.