Janevska: Punojmë për mësim në një turn në të gjitha shkollat ​​sepse përmirëson ndjeshëm njohuritë e nxënësve

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska theksoi se  përfitim i rëndësishëm i funksionimit me një turn është ulja e kostove të funksionimit të objekteve shkollore ndërsa mjetet e kursyera  do të mund të alokohen për qëllime të tjera të dobishme. Në këtë, siç potencoi  Janevska, duhet të kontribuojnë edhe udhëheqësit e shkollave, në vend që të keqpërdorin resurset, duke theksuar rastin e drejtorit të shkollës në Strumicë, i cili kishte lejuar  organizimin e mbledhjeve partiake nëpër klasa në orët e vona, duke menduar se do të kalojë pa u vënë re, transmeton Portalb.mk.

Ajo gjithashtu informoi se 150 shkolla në vend kanë mësim me një turn dhe synohet që të gjitha të bëjnë një gjë të tillë. Edhe pse shkollat ​​janë nën juridiksionin e komunave, ato në të ardhmen do të kenë mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

“Në vend janë ende 245 shkolla me mësim në dy turne dhe aktualisht jemi duke analizuar kushtet për të parë më saktë se me ç’farë investimesh mund të krijojmë kushte për mësim me një turn. Në disa vende  duhet të ndërtohen klasa të reja,  diku hapësirat vetëm do të  mund të përshtaten ndërsa në disa vende, duhet të ndërtohen objekte krejtësisht të reja. Përmbledhur sipas llogaritjeve të përafërta, na duhen rreth 300 klasa të reja”, theksoi Janevska.

Për të realizuar procesin, theksoi se nevojiten mjete dhe kohë, por shprehu besimin se në disa vite kalendarike qëllimi do të realizohet.

Aktualisht, në 150 shkolla realizohet mësimi me një ndërrim, ndërsa për optimizimin e plotë të rrjetit shkollor e cila nënkupton edhe realizimin e punës me një ndërrim në të gjitha shkollat ​​fillore në vend, është e nevojshme të ndërtohen 300 klasa dhe 70 nyje sanitare, për të cilat sipas vlerësimeve që kemi bërë me UNICEF-in dhe Bankën Botërore duhet të investohet rreth 8 milionë euro.