Në Prokurorinë Publike të Shkupit është formuar departament për krime serioze dhe komplekse

Në koordinim me Prokurorin Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Prokurori Themelor Publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup solli shtesë në orarin vjetor të punës së prokurorëve publikë në atë prokurori, me të cilin themeloi një departament të veçantë për krime serioze dhe komplekse, transmeton Portalb.mk.

Ky departament do të merret me çështjet penale për të cilat është paraparë dënim me burgim të përjetshëm me një numër më të madh të të pandehurve dhe vëllimin e provave, rastet në të cilat kryhen hetime financiare, çështjet komplekse me një numër më të madh krimesh, të pandehurit apo vëllimin e provave, dhe rastet me interes të jashtëzakonshëm publik.

Departamenti i themeluar në përputhje me nenin 15 dhe nenin 25 të Ligjit për prokurorinë publike do të trajtohet nga prokurori publik në Prokurorinë Publike të Shkupit, Vladimir Millosheski dhe shtatë prokurorë të tjerë publikë nga Prokuroria e Shkupit me përvojë shumëvjeçare në veprimin kundër veprave të tilla penale.

Nevoja për ndryshim organizativ në punën e Prokurorisë Themelore Publike Shkup dhe themelimi i departamentit të ri u imponua për shkak të kushteve të konstatuara dhe fluksit të lëndëve gjatë vitit 2024, të cilat përfshijnë forma të rënda dhe komplekse të krimit të shprehur përmes disa treguesve:

  • Ndryshimet në Kodin Penal, veçanërisht në lidhje me veprën penale – Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 353, ka shkaktuar ndryshime në kompetencën faktike të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çka një pjesë e madhe e lëndëve në procedurën paraprake për nenin 353 paragrafi 5 të KP-së i dërgohen kompetencës aktuale dhe lokale të PTHP Shkup.
  • Gjithashtu, është marrë parasysh ndryshimi i nenit 98-a për konfiskim të zgjatur në të njëjtin ligj, i cili kërkon një mjedis të ndryshëm brenda-institucional dhe angazhim të shtuar të prokurorëve publikë tashmë në procedurën parahetuese, për hir të hetimeve financiare në kohë.
  • Gjatë funksionimit aktual të subjektit dhe monitorimit të situatës në aspektin e kriminalitetit, janë konstatuar forma të kriminalitetit të rëndë dhe kompleks, që kanë të bëjnë kryesisht me krimet kundër jetës dhe trupit, krimet kundër shëndetit të njerëzve, krime kundër detyrës zyrtare dhe krime kundër financave publike në territorin nën juridiksionin e PTHP Shkup. Karakteristika kryesore e këtyre krimeve është numri i madh i personave fizikë dhe personave juridikë të përfshirë, kompleksiteti i veprimeve që duhet të hetohen dhe të përcaktohen dhe në të njëjtën kohë të zbulohen pasojat e dëmshme si karakteristikë juridike e krimeve. Duke pasur parasysh se autorët gjithnjë e më shumë po përdorin mekanizma të ndryshëm për të fshehur si veprimet penalo-juridike ashtu edhe përfitimet pasurore të drejtpërdrejta dhe indirekte nga sjellja kriminale, kjo e ndërlikon veprimtarinë kërkimore dhe kërkon njohuri shtesë dhe përkushtim të veçantë të prokurorit publik për hulumtimin dhe ndjekjen penale të këtyre formave të krimit.
  • Departamenti me kapacitete cilësore dhe sasiore për ndjekjen penale të krimeve të rënda dhe komplekse duhet t’i japë një stimul adekuat policisë gjyqësore në funksionin e saj hetimor, si dhe kapaciteteve të veta hetimore në qendrën hetimore, nëpërmjet drejtimit efektiv të veprimeve dhe masave në procedurën parahetimore.

Qëllimi përfundimtar i departamentit të sapoformuar është mbrojtja adekuate penalo-juridike e qytetarëve dhe reagimi institucional efikas ndaj formave komplekse të veprave penale.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2023 patën efekt të dëmshëm në sistemin e drejtësisë të Maqedonisë së Veriut dhe në rezultatin e procedimeve penale në lidhje me rastet gjyqësore të korrupsionit të lartë, pasi shumica e tyre u ndërprenë për shkak të vjetërsimit. Ekspertët në RMV, thonë se nevojiten mekanizma ligjorë për të zbutur pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore të miratuara më datë 7 shtator 2023, që rezultuan me lirim nga akuzat të shumë ish-funksionarëve.