Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, u mbajt manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon”

Në 146- vjetorin e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, më 10 qershor 2024, në amfiteatrin “Abdylselam Emini”-UT, e realizoi Edicionin XI të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, njofton Portalb.mk

Mes shumë të pranishmëve, në amfiteatrin e UT- së u mbajt edhe një edicion i suksesshëm i manifestimit ” Lidhja na bashkon” që në bërthamën e saj ka ngjarjen më të madhe historike që iu parapriu shumë proceseve të rëndësishme historike. Në kuadër të këtij manifestimi kulturor u zhvilluan këto veprimtari: Shënimi i 146-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit me ç’rast u mbajt një referat nga profesori Salajdin Salihu. Gjithashtu, tradicionalisht tashmë, bëhet dhe ndarja e çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2024, që më këtë rast iu nda piktorit dhe profesorit Muamer Sadiku.

Ndërsa, ora letrare “Shtigje poetike” u pasurua me poezi nga Flutura Mihailica. Programi artistik u plotësua dhe me interpretime muzikore në çifteli nga rapsodi Nuhi Musa dhe violin nga Shkëlzen Pajaziti.

Në shënimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, morën pjesë veprimtarë të kulturës, adhurues të artit poetik, të artit figurativ, punonjës të arsimit dhe hulumtues shkencorë.

Kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” Selam Sulejmani, në fjalën e tij të hapjes së manifestimit u shpreh se bashkë me anëtarët e shoqatës, angazhohen që agjendën dhe funksionimin e këtij asociacioni ta bazojnë në rregulla, në profesionalizëm si dhe në funksion të afirmimit të kulturës shqiptare. Ai po ashtu shtoi se falë këtyre përcaktimeve, shumë prej nesh u bashkuam rreth manifestimit “Lidhja na bashkon”.

“Ky projekt, sa kulturor e artistik, po aq edhe arsimor e shkencor, përmes madhështisë së artit dhe vlerave kulturore kombëtare, përkatësisht universale, që në vigjilje të tij synonte të kontribuojë në emancipimin e shoqërisë, në çlirimin e qenies njerëzore nga monotonia e përditshme, nga klishetë dhe nga varfëria e ideve… Jemi të bindur se kemi arritur që manifestimin “Lidhja na bashkon” ta shndërrojmë në ngjarje kulturore të rëndësishme të qytetit rrëzë Sharrit…Është detyrë jona që kulturën shqiptare ta kultivojmë dhe ta trashëgojmë, duke studiuar në radhë të parë lashtësinë e saj, rëndësinë historike si dhe vlerat që përbëjnë identitetin tonë. Popujt që kanë arritur t’u mbijetojnë shekujve, e kanë realizuar këtë proces duke prodhuar vlera autentike, që i udhëheqin si yjet përgjatë historisë”, deklaroi Selam Sulejmani.

Duke iu referuar 10 qershorit, njërës prej datave më të rëndësishme të historisë sonë gjithëkombëtare, kryetari i Shoqatës “Tradita” shtoi se sot e shënojmë bashkërisht 144-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, lëvizjes së parë shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së lavdishme të heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai theksoi se “Lidhja na bashkon” na ka bashkuar për gati një dekadë për ta përkujtuar veprimtarinë e rilindësve tanë, e cila është bërë pjesë e pandashme kujtesës sonë historike, duke u bërë edhe vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare apo e sistemit tonë të vlerave. Ata janë modeli më i mirë i edukimit kombëtar ndër breza, i artikulimit të mendimit politik, shoqëror e filozofik, të shtypit patriotik dhe të letërsisë artistike.